Rajoni

Alarm në Serbi/ Konfirmohet murtaja afrikane e derrave, do të asgjësohen 11 mijë krerë

Autoritetet serbe kanë konfirmuar një vatër të re të ethes afrikane të derrave në një fermë të madhe në rajonin e Vojvodinës, duke nisur procesin e asgjësimit të rreth 11 mijë derrave për të frenuar përhapjen e virusit.

Ministri serb i Bujqësisë, Menaxhimit të Ujërave dhe Pylltarisë, Dragan Glamoçiç, deklaroi për televizionin publik RTS se virusi është konfirmuar në një fermë në fshatin Hrtkovci.

Sipas tij, që nga sot ka nisur skartimi i planifikuar i pothuajse 11 mijë derrave, si pjesë e masave për kontrollin e shpërthimit të sëmundjes.

Rastet e para të ethes afrikane të derrave në Vojvodinë u zbuluan rreth një muaj më parë në ferma të vogla familjare. Vojvodina është rajoni me popullatën më të madhe të derrave në Serbi.

Murtaja afrikane e derrave është një sëmundje virale shumë ngjitëse dhe vdekjeprurëse për derrat, por nuk transmetohet te njerëzit.

Sipas të dhënave, sëmundja është identifikuar në 70 vende të botës, përfshirë 16 shtete evropiane.

Në rajon, raste të ethes afrikane të derrave janë regjistruar edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Hungari dhe Rumani.