Dhjetra delfinë të ngordhur ose që po ngordhnin u lanë në një plazh të Somalisë. Mediat e huaja bëjnë të ditur se sipas dëshmitarëve okularë, të paktën 100 gjitarë detarë u lanë në një plazh që ndodhet midis portit Bosasso dhe plazhit Mareeko në rajonin jugor të Puntland. “Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Peshkimit po punojnë së bashku për të hetuar urgjentisht këtë incident të pazakontë”-njoftoi qeveria rajonale, duke premtuar një raport zyrtar mbi shkaqet e mundshme.
Numri i saktë i delfinëve nuk mund të konfirmohej. Në një mesazh të postuar në Facebook, Ministria e Mjedisit e Puntland njoftoi se banorët arritën të shpëtojnë rreth 30 delfinë dhe t’i fusin përsëri në ujë. “Numri i delfinëve në breg është deri në 140 dhe shumica e tyre janë të ngordhur, megjithëse disa janë ende gjallë”-tha një dëshmitar okular, Abulachi Muse. “Është një incident i tmerrshëm, nuk kemi parë kurrë diçka të tillë më parë”-shtoi ai. Dëshmitarë të tjerë okularë raportuan shifra të ngjashme. Sipas Ministrisë së Mjedisit, incidenti mund të jetë për shkak të rrjetave të paligjshme të peshkimit dhe ndotjes së ujit.