Rajoni

Albin Kurti: Dakordësia me BE-në do të vendosë barazi në dialogun Kosovë-Serbi!

“Dakordësia mes Kosovës dhe BE-së për pikat që synojnë të shtensionojnë situatën në veri do të ndihmojë në përforcimin e fokusit e vendosjen e barazisë midis palëve”. Kjo theksohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti:

Të dy palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, çka është cënuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga Bashkimi Europian.

Që nga vendosja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, vazhdimisht, Kurti i ka quajtur “të padrejta” dhe se e bëjnë dialogun “asimetrik”.

Duke listuar pikat për të cilat në fillimjavë u ra dakord në Bratisllavë mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi e të dërguarit europian, Mirosllav Lajçak, sot në mbledhjen e qeverisë, Kurti theksoi se kjo dakordësi synon të ndihmojë zbatimin e plotë të Marrëveshjës së Ohrit, të arritur në muajin mars të këtij viti. Kryeministri përsëriti se ajo marrëveshje duhet të zbatohet e plotë.

Që të dy palët duhet ta pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe. Zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet.

Duke iu referuar organizimit të zgjedheve të reja në veri të vendit, shefi i qeverisë së Prishtinës tha se për qeverinë e tij është me rëndësi që qytetarët e Kosovës të kenë përfaqësimin e duhur lokal.

Por, për të arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet mjedisi që e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale dhe që garanton paprekshmërinë e votës.

Edhe më herët, drejtuesit e shtetit në Kosovë janë shprehur të gatshëm që të organizojnë zgjedhje të reja në komunat në veri, por kanë kërkuar që ato të përgatiten, në mënyrë që të mos ketë bojkotim.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe. Lidhur me dakordësinë BE-Kosovë, presidenti serb Vuçiç hodhi akuza se po përpiqen të gjejnë arsye për të fajësuar Serbinë.