Art & Kulturë

Amela Çaçi – Zëri i ri i fuqishëm në produksionin shqiptar

Në pak vite, Amela Çaçi ka arritur të bëhet një emër i njohur në industrinë shqiptare të filmit dhe medias. Nga gazetaria në TV Klan, tek produksionet televizive e deri tek filmat e shkurtër me vlerësime në festivale, ajo ka treguar se vizioni dhe pasioni mund të hapin rrugë të reja. Me një stil të veçantë dhe ndjeshmëri sociale, producentja Amela Çaçi po forcon rolin e saj si producente dhe regjisore që sjell risi në narrativën vizuale shqiptare.

Si lindi dëshira për t’u zhvendosur drejt produksionit vizual?

Gazetaria më mësoi shumë mbi përgjegjësinë ndaj publikut dhe fuqinë e një historie të treguar mirë. Megjithatë, kuptova që shprehja ime e plotë ishte përmes imazhit. Produksioni më jep lirinë të kombinoj artin me mesazhin, duke e bërë komunikimin më të fuqishëm.

Keni qenë pjesë e projekteve të mëdha televizive si “Hostel by Anabel” apo “$NOB”. Çfarë keni marrë nga këto eksperienca?

Çdo projekt ka qenë një shkollë më vete. Të menaxhosh logjistikën, ekipin dhe procesin kreativ njëkohësisht është sfidë, por edhe privilegj. Për mua ka qenë thelbësore që produksionet të lidhen me publikun dhe të sjellin diçka të re.

Në 2023, filmi juaj i shkurtër “Safe Land” fitoi disa çmime në 48 Hour Film Project Tirana. Si e përjetuat këtë moment?

Ishte një përvojë intensive dhe magjike. Brenda 48 orëve duhet të krijonim një film nga e para. “Safe Land” u vlerësua me Second Best Film, Best Script, Best Cinematography dhe Best Use of Genre. Kjo ishte dëshmi se pasioni dhe puna në ekip mund të japin rezultate të mëdha, edhe në kushte të kufizuara.

Cili është hapi tjetër për “Safe Land”?

Filmi ka nisur të udhëtojë në festivale ndërkombëtare dhe kjo është një mundësi për ta treguar jashtë kufijve potencialin e kinemasë shqiptare. Ky është vetëm fillimi.

Po për të ardhmen tuaj si producente, ku e shihni veten?

Dua të vazhdoj të krijoj projekte që sjellin emocione dhe ndërgjegjësim. Ëndrra ime është që filmat shqiptarë të kenë vendin që meritojnë në hartën ndërkombëtare të kinemasë.