Shtetet e Bashkuara e shtynë me dy muaj hyrjen në fuqi të sanksioneve amerikane ndaj Industrisë Serbe të Naftës (NIS), siç njoftoi dje presidenti serb, Aleksander Vuçiç. Sanksionet duhej të hynin në fuqi më 28 prill, por tani u caktua 27 qershori, bëri të ditur Vuçiç në Instagram.
Lajm i mirë për qytetarët e Serbisë. Serbia ka arritur të marrë një shtyrje të re të sanksioneve ndaj NIS-it, kësaj radhe për dy muaj, deri më 27 qershor. Faleminderit partnerëve tanë amerikanë për mirëkuptimin e qëndrimit të Serbisë!
Shtetet e Bashkuara e vendosën NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse, Gazprom Neft. Kjo me qëllim parandalimin e Rusisë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë. Prej atëherë, Uashingtoni e ka shtyrë tri herë futjen në fuqi të sanksioneve të tij ndaj NIS-it.
NIS-i njoftoi gjatë kësaj jave se kishte bërë kërkesë në Departamentin amerikan të Thesarit për lëshimin e një licence të veçantë për pezullimin e zbatimit të sanksioneve kundër saj. Edhe Qeveria e Serbisë kishte bërë kërkesë te autoritetet amerikane për shtyrjen e sanksioneve.
Kompanitë ruse, Gazprom Neft dhe Gazprom, zotërojnë shumicën e aksioneve në NIS (56.15%), ndërsa Serbia ka në pronësi gati një të tretën e aksioneve. Në vitin 2008, Serbia i shiti 51% të aksioneve të kompanisë NIS te kompania shtetërore ruse, Gazprom Neft, për një çmim prej 400 milion eurosh, pa tender.
Në maj të vitit 2022, për shkak të sanksioneve të reja të shpallura nga Bashkimi Europian, Gazprom Neft shiti 6% të aksioneve të tij te Gazprom-i, kompania amë që ende nuk është nën sanksionet e bllokut europian. NIS-i është e vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës, si dhe me prodhimin e gazit natyror.
Ajo zotëron më shumë se 400 stacione karburanti në Serbi e në vendet e rajonit: Bosnjë e Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari. Përpunimi i naftës bruto kryhet në Rafinerinë e Naftës në Pançevë, e cila operon brenda sistemit të NIS-it.