Rajoni

Vuçiç: Do të shkoj në Mal të Zi për samitin BE-Ballkani Perëndimor!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, konfirmoi se do të udhëtojë në Malin e Zi për të marrë pjesë samitin e Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Po shkoj në Mal të Zi. Është shumë e rëndësishme që atje ta përfaqësoj Serbinë, tha Vuçiç gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Ky konfirmim vjen në një kohë tensionesh të rritura mes Beogradit dhe Podgoricës, si dhe pas porosisë nga shërbimi serb i Inteligjencës se Vuçiç nuk duhet të shkojë në Malin e Zi, për shkak të rreziqeve të sigurisë.

Vuçiç vuri në dukje se u informua për njoftimin e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), që e këshilloi të mos udhëtojë në Malin e Zi, për shkak “të veprimit armiqësor të shërbimeve të huaja dhe klaneve kriminale” në atë vend.

Ai shtoi se për çështje të tjera do të flasë në Mal të Zi. Në deklaratën pas takimit me Costa-n, presidenti i Serbisë i tha zyrtarit të BE-së:

Shihemi sonte në Mal të Zi, nëse nuk paraqes kërcënim hibrid.

Një ditë më parë, nga Mali i Zi u dëbuan 87 persona, pasi kishin shkuar në po të njëjtën ditë me fluturim çarter nga Beogradi. Kjo me argumentin se përbënin “rrezik për sigurinë”, ndërsa mediat malazeze e përshkruan grupin si “sigurimi joformal i Vuçiçit”.