Rajoni

Podgorica zyrtare: Qëndrimi në Malin e Zi është i sigurt!

“Si një anëtar i përgjegjshëm dhe i besueshëm i NATO-s, Mali i Zi u garanton të gjithë vizitorëve të tij një qëndrim të sigurt, të mbrojtur e të këndshëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit fqinj.

Ky reagim i publikuar në X vjen pasi Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) njoftoi se “zyrtarisht” e ka këshilluar presidentin serb, Aleksander Vuçiç, të mos shkojë në Malin e Zi:

Për shkak të veprimit armiqësor të shërbimeve të huaja dhe klaneve kriminale.

BIA iu referua të dhënave operative e deklaroi se në Mal të Zi ndodhet lideri i klanit të Kavaçit, Radoje Zvicer. Vuçiç duhej të merrte pjesë në një samit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në Tivat të Malit të Zi.

Në prag të Samitit në Tivat, ne do të bëjmë gjithçka që miqtë, aleatët dhe partnerët tanë të priten në nivelin më të lartë e të sigurojmë organizimin e suksesshëm dhe dinjitoz të këtij ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare për ne, u tha në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi.

Prioritet i yni mbetet që asnjë rrethanë dytësore të mos e errësojë suksesin e samitit dhe objektivat e përbashkëta që ai promovon.

Njoftimet vijnë pasi nga Mali i Zi u dëbuan 87 persona, të cilët të njëjtën ditë kishin mbërritur me fluturim çarter nga Beogradi, me arsyetimin se përbënin “rrezik për sigurinë”, ndërsa mediat malazeze e përshkruan këtë grup si “sigurimi joformal i Vuçiçit”.