Rajoni

Industria serbe e naftës thotë se sanksionet amerikane ndaj saj u shtynë përsëri!

Industria e Naftës e Serbisë (NIS), njoftoi sot se Departamenti amerikan i Thesarit e ka shtyrë me 30 ditë të tjera hyrjen në fuqi të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj NIS-it.  Uashingtoni e vuri NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar, për shkak të pjesëmarrjes në pronësinë e kompanisë ruse, Gazprom Neft. Kjo me qëllim parandalimin e Rusisë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.

Sanksionet duhej të hynin në fuqi më 28 shkurt, por më pas, vendosja e tyre u shty për 30 ditë, para se të shtyhej përsëri me 30 ditë të tjera, me vendimin e fundit.

NIS-i deklaroi se Departamenti amerikan i Thesarit i ka lëshuar një licencë të re, që i mundëson të kryejë aktivitetet  operacionale pa pengesa deri më 28 prill, ose derisa të hiqen sanksionet, nëse kjo ndodh më parë.

NIS-i falënderoi Qeverinë e Serbisë dhe të gjitha institucionet e tjera vendase e të huaja që e mbështetën kërkesën dërguar Departamentit amerikan të Thesarit. Kompanitë ruse, Gazprom Neft dhe Gazprom, zotërojnë shumicën e aksioneve në NIS (56.15%), ndërsa Serbia ka në pronësi gati një të tretën e aksioneve.

Në vitin 2008, Serbia shiti 51% të aksioneve të kompanisë NIS te ajo shtetërore ruse, Gazprom Neft, për një çmim prej 400 milion eurosh, pa tender. Në maj të vitit 2022, për shkak të sanksioneve të reja të shpallura nga Bashkimi Europian, Gazprom Neft shiti 6% të aksioneve të tij te Gazpromi, kompania amë që ende nuk është nën sanksionet e bllokut europian.

NIS-i është e vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin e përpunimin e naftës, si dhe me prodhimin e gazit natyror. Ajo zotëron më shumë se 400 stacione karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit, Bosnjë e Hercegovinë, Rumani e Bullgari. Përpunimi i naftës bruto kryhet në Rafinerinë e Naftës në Pançevë, e cila operon brenda sistemit të NIS-it.