Aktualitet

AMP-ja pezullon nga detyra 3 efektivë të “Shqiponjave”, bënë për spital një shofer!

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) pezulloi nga detyra tre punonjës policie të Forcave të Posaçme “Shqiponja”. Pezullimi vjen pas një ngjarjeje të ndodhur më 8 maj, kur tre efektivët u përfshinë në një konflikt fizik me një drejtues automjeti. Për shkak të përplasjes, shoferi i makinës përfundoi duke marrë trajtim mjekësor në spitalin e Traumës.

Caktimi i masave të sigurimit personal u bë i mundur në funksion të procedimit penal të vitit 2025 në lidhje me ngjarjen e datës 08.05.2025 rreth orës 19:30, punonjësit e policisë kanë ndaluar një automjet me drejtues shtetasin R. Z., dhe me veprime arbitrare kanë kaluar në konfrontim fizik, ku për pasojë drejtuesi i automjetit është dërguar në Spitalin Universitar të Traumës për trajtim mjekësor.

Ndaj tre efektivëve rëndon vepra penale “Kryerje e veprimeve arbitrare në bashkëpunim”. Ky vendim i AMP-së vjen në zbatim të urdhrit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për tre efektivët.