Aktualitet Politikë

Anketim për zgjedhjet: Presion administratës publike e keqpërdorim i përhapur i burimeve shtetërore!

“Shqetësim kryesor për demokracinë e vendit”. Kështu e quajnë aktivistët keqpërdorimin e burimeve shtetërore për qëllime zgjedhore. Nga studimi i opinionit publik në 6 qytetet më të mëdha, doli se shumica dërrmuese mendojnë që ky përdorim i burimeve shtetërore, nuk është i drejtë dhe ndikon në rezultatet e zgjedhjeve. Një e katërta e qytetarëve të anketuar ndryshuan votën ose abstenuan, për shkak të presioneve nga administrata publike.

Studimi i Organizatës Qëndresa Qytetare zbuloi një perceptim të përhapur mbi keqpërdorimin e burimeve shtetërore për qëllime zgjedhore. Anketa u shtri në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Fier, Elbasan, ku një shumicë dërrmuese (84.5%) e pjesëmarrësve u shprehën se “përdorimi i burimeve shtetërore ndikon ndjeshëm në rezultatet e zgjedhjeve” dhe shumica e tyre (66%) e cilësojnë këtë sjellje si “të padrejtë” e “keqpërdoruese”.

Më shumë se dy të tretat e të anketuarve (78%) pohuan se zyrtarët publikë përdorin burimet shtetërore për qëllime elektorale, më shumë se gjysma e tyre (57%) theksuan angazhimin e nëpunësve civilë në fushata zgjedhore, si dhe (50-55%) vërejtën përdorimin e fondeve publike, të objekteve dhe infrastrukturës publike për veprimtari të fushatave zgjedhore.

Për Zërin e Amerikës, drejtuesi i organizatës Qëndresa Qytetare, Migen Qiraxhi, deklaroi:

Edhe ky studim tregoi që në Shqipëri janë shkelur dhe janë përherë e më të paqartë kufijtë mes partisë e shtetit sidomos në fushata zgjedhore dhe që administrata përdoret rëndom në zgjedhje për të mbajtur pushtetin nën presionin e mbajtjes së vendit të punës, ndaj mbetet të forcohen monitorimi dhe masat për të frenuar këtë dukuri shqetësuese për demokracinë.

Më shumë se një e treta e qytetarëve të anketuar për këtë studim (36%), pohuan se kanë qenë nën presion për të mbështetur një kandidat ose parti, madje një e katërta (25%) e të anketuarve thanë se kanë ndryshuar votën e tyre ose kanë abstenuar nga votimi për shkak të presioneve nga administrata publike.

Anketimi zbuloi se afro 67% e qytetarëve kanë përjetuar ose dëgjuar raste ku punonjësit publikë janë detyruar të shfaqin mbështetje politike gjatë orarit të punës, nga presioni për të marrë pjesë në në veprimtari fushatë zgjedhore (49%), kërcënime për humbjen e vendit të punës (35%), presione për të dorëzuar lista votuesish (33.5%) e deri te presione për t’u fotografuar duke marrë pjesë në aktivitete elektorale (27%).

Sipas anketës, afro një e katërta e qytetarëve (31%) deklaruan se kanë qenë dëshmitarë të përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime zgjedhore. Ndërsa shumica dërrmuese e tyre, (82%) janë pro ashpërsimit të masave ndëshkuese për të parandaluar përdorimin e burimeve shtetërore gjatë proceseve zgjedhore.

Përdorimi i burimeve shtetërore dhe administratës publike gjatë fushatave zgjedhore është një ndër vërejtjet kryesore dhe më të shpeshta të vëzhguesve vendas dhe të huaj ndërsa masat për frenimin e saj cilësohen si të pamjaftueshme./Zëri i Amerikës