Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, deri në orën 15:00, në Kosovë kanë votuar 22.74% e rreth 2 milion qytetarëve me të drejtë vote, dalje më e ulët se ajo e shënuar në zgjedhjet e kaluara të 28 dhjetorit 2025 kur ishte mbi 29.29%.
Prej orës 07:00 të mëngjesit, vijon votimi në zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare, të tretat në rreth 18 muaj. Të 9 shkurtit 2025 dështuan të prodhonin qeverinë, ndërsa të 28 dhjetorit, nuk sollën marrëveshje për presidentin, ndonëse Vetëvendosje siguroi 51% të votave.
Ndërsa qendrat pritet të mbyllen në orën 19:00, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi zgjedhor po zhvillohet i rregullt e pa incidente, në të 38 komunat.
Ndërkaq, janë angazhuar mbi 100 prokurorë e staf mbështetës, për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Më shumë se 900 kandidatë nga 17 parti politike dhe tre koalicione garojnë për vende në parlamentin me 120 deputetë.
Udhëheqësit politikë bënë thirrje për dalje sa më të madhe në zgjedhje dhe proces të qetë e demokratik.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se shpreson që vendi nuk do të ketë më nevojë të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Pasi votoi në Prishtinë, Kurti u shpreh:
Uroj që për zgjedhje parlamentare, këtu të shihemi pas katër vitesh.
Edhe kundërshtarët e tij opozitarë, kandidati për kryeministër e kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza dhe ai i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, u shprehën se nuk duhet të ketë më zgjedhje në katër vitet e ardhshme.
I ftoj ta ushtrojnë të drejtën për votë sipas bindjeve të tyre politike, të votojnë në mënyrë të qetë, të lirë dhe demokratike. Ne sot vendosim për të ardhmen për katër vitet e ardhshme, deklaroi Hamza.
Brenda 12 orëve, nga ora 7 e mëngjesit, deri në ora 7 e mbrëmjes, vendoset fati i Republikës për katër vjetët e ardhshme, vuri në dukje Abdixhiku.