Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit dhe la të kuptohet se do të bashkëpunojë me partitë e tjera për formimin e institucioneve.
Ne bëjmë bashkë sigurinë e shtetit dhe kufijve me mirëqenien e qytetarëve. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi tejkaluar, sepse tash ka shtet për krejt, e ne jemi krejt për shtet. Te LVV-ja, qytetarët kanë garanci për mirëqeverisje. Partia është e interesuar të punojë, ndryshe nga blloku opozitar. Legjislatura e 11-të duhet të fillojë sa më shpejt.
Kurti paralajmëroi takime e bisedime me të gjitha partitë në ditët në vazhdim.
Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 42.92% të votave, dukshëm më pak se në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, kur fitoi mbi 51%.
E dyta u radhit Partia Demokratike e Kosovës me 21.06 e pas saj Lidhja Demokratike me 17.61, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.18 dhe Lista Serbe me 6.17%. Edhe këto parti shënuan lëvizje krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit.
Pjesëmarrja në votime ishte po ashtu më e ulët, duke arritur rreth 35%, në krahasim me afro 45 në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar.
Sipas Policisë së Kosovës, procesi i votimit ka kaluar i qetë, pa ndonjë incident që do të ndikonte në mbarëvajtjen e tij.