Madonna nuk do të performojë në London Pride, pavarësisht se prej ditësh qarkullonin raportime se ajo do të bënte një paraqitje surprizë në skenën kryesore në Trafalgar Square, krah Beth Ditto dhe MNEK.
Sipas mediave britanike, vendimi është marrë vetëm pak orë para nisjes së eventit, pasi ekipi i artistes ka shprehur shqetësime serioze për sigurinë. Mbi një milion persona priteshin të merrnin pjesë në festimet e Pride në kryeqytetin britanik, çka thuhet se ndikoi drejtpërdrejt në anulimin e paraqitjes.
Një burim i afërt me organizimin tha se Madonna ishte tepër e emocionuar për t’u bashkuar me turmën, duke qenë prej dekadash një nga zërat më të fuqishëm në mbështetje të komunitetit LGBTQ+, por në fund siguria u vendos mbi gjithçka.
Madonna ishte e gatshme të dilte në skenë, por me një turmë kaq të madhe u vendos që rreziku ishte shumë i lartë
-citohet burimi.
Pak më vonë, edhe organizatorët e London Pride i dhanë fund spekulimeve përmes një reagimi zyrtar në rrjetet sociale, duke konfirmuar se ikona e muzikës nuk do të ishte pjesë e programit artistik.
Parada u zhvillua me pjesëmarrjen e më shumë se 35 mijë marshuesve nga mbi 600 organizata dhe grupe, ndërsa itinerari kaloi nga Hyde Park Corner drejt Whitehall Place, nën masa të forta sigurie.
Policia Metropolitane kishte paralajmëruar paraprakisht se do të kishte zero tolerancë ndaj çdo forme të krimit të urrejtjes gjatë manifestimit.
Lajmi për mungesën e Madonnës vjen vetëm pak ditë pasi ajo publikoi albumin e ri “Confessions II”, i cili po konsiderohet nga kritikët si një nga rikthimet e saj më të suksesshme muzikore të viteve të fundit.