Madonna ka bërë një rrëfim të papritur për marrëdhënien e saj me Kylie Minogue, duke pranuar se dikur ndiente xhelozi ndaj këngëtares australiane për shkak të ish-bashkëshortit të saj, Guy Ritchie.
Ikona e muzikës, 67 vjeçe, foli hapur gjatë paraqitjes në emisionin “The Graham Norton Show”, ku promovoi albumin e saj të ri “Confessions II”, që pritet të publikohet më 3 korrik.
Gjatë intervistës, Madonna kujtoi një moment të veçantë nga MTV Europe Music Awards në vitin 2000, kur ajo u shfaq në skenë me një bluzë të personalizuar që mbante emrin e Kylie Minogue, të zbukuruar me gurë.
Isha në fazën time ‘western’, duke zbukuruar gjithçka me gurë dhe po mendoja për këngëtaret për të cilat isha paksa xheloze. Kështu, natyrshëm mendova për Kylie-n dhe bëra një bluzë me emrin e saj
-u shpreh Madonna.
Rrëfimi mori një kthesë edhe më interesante kur këngëtarja pranoi se arsyeja e kësaj xhelozie lidhej me bindjen e saj se ish-bashkëshorti, regjisori Guy Ritchie, kishte një simpati për Kylie Minogue.
Mendoja se Guy kishte një simpati për të
-tha Madonna, duke e kujtuar sot këtë periudhë me humor.
Edhe Kylie Minogue, e cila ishte e pranishme në të njëjtën intervistë, tregoi se nuk kishte pasur asnjë paralajmërim për gjestin e Madonnës në atë kohë.
U habita shumë kur e pashë në skenë me bluzën që mbante emrin tim. Nuk e prisja aspak
-tha ajo.
Megjithatë, dy yjet e muzikës sot gëzojnë një marrëdhënie miqësore dhe e kujtuan këtë histori me të qeshura, duke treguar se rivaliteti i dikurshëm i përket së shkuarës.