Madonna ka kritikuar ashpër inteligjencën artificiale, duke e cilësuar atë si të kundërtën e artit dhe krijimtarisë. Në një intervistë për revistën Vogue Italia, mbretëresha e popit tha se algoritmet dhe AI i largojnë artistët nga marrja e rreziqeve dhe i drejtojnë ata drejt një krijimtarie të sigurt, por pa origjinalitet. “Algoritmet dhe inteligjenca artificiale janë e kundërta e marrjes së rrezikut, ndërsa për mua kjo është e kundërta e krijimit të artit”, u shpreh ajo.
Madonna foli edhe për ndryshimet që ka pësuar industria muzikore, duke thënë se dikur artistët frymëzoheshin nga bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me piktorë, muzikantë, kërcimtarë dhe krijues të tjerë. Sipas saj, sot artistët duhet të mendojnë fillimisht për numrin e ndjekësve në rrjetet sociale nëse duan të sigurojnë një kontratë me një shtëpi diskografike. Megjithatë, këngëtarja ka përdorur edhe vetë inteligjencën artificiale në disa raste.
Ekipi i saj përdori gjithashtu AI në videot promovuese të projekteve “Veronica Electronica” dhe “The Untold Chapter” si dhe për krijimin e efekteve vizuale gjatë turneut të saj në vitin 2024. Pavarësisht kësaj, Madonna thekson se përdorimi i AI ka qenë i kufizuar vetëm në aspektin vizual dhe nuk ka ndikuar në procesin e krijimit të muzikës së saj. Sipas saj, me kalimin e kohës inteligjenca artificiale po krijon gjithnjë e më shumë ndasi në publik, pasi disa e shohin si një kërcënim për artin, ndonëse të tjerë e përqafojnë për përfitime ekonomike.
Pas vitesh pune dhe përgatitjesh, filmi biografik i shumëpërfolur për jetën e Madonnës nuk arriti të shihte dritën e ekranit. Këngëtarja ka zbuluar se arsyeja kryesore e ndërprerjes së projektit lidhej me mosmarrëveshjet mbi kostot e prodhimit. Në një intervistë për revistën Interview, ylli i muzikës rrëfeu se kishte investuar dy vite në shkrimin e skenarit dhe një periudhë po aq të gjatë në bashkëpunim me Universal Studios, duke punuar për buxhetin, përzgjedhjen e aktorëve dhe organizimin e xhirimeve.
Sipas Madonnës, historia e jetës së saj kërkonte një realizim ambicioz dhe, rrjedhimisht, një investim të konsiderueshëm financiar. “Kam bërë një jetë të jashtëzakonshme dhe për ta treguar atë siç duhet, nevojitej një buxhet i madh”, u shpreh artistja. Ajo la të kuptohej se drejtuesit e studios nuk ndanin të njëjtin vizion me të për projektin, ndërsa kishte rezerva edhe për disa zgjidhje të propozuara për të ulur shpenzimet, përfshirë mundësinë që një pjesë e xhirimeve të realizohej në Serbi.