Administrata Trump ka deklaruar se arbitrit Omar Abdulkadir Artan iu mohua hyrja në SHBA për shkak të “lidhjeve me anëtarë të dyshuar të organizatave terroriste”.
Arbitri ishte një nga 52 zyrtarët e ndeshjeve të përzgjedhur nga FIFA për Kupën e Botës. Ai kishte udhëtuar drejt Miamit fundjavën e kaluar për t’u bashkuar me kolegët e tij në një kamp stërvitor në Florida, përpara fillimit të turneut. Artan tha për New York Times të martën se ai “kishte dokumentet e duhura” dhe “vizën e duhur” përpara se të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara, si dhe zotëronte akreditimin zyrtar si zyrtar ndeshjeje nga FIFA.
Rrjedhimisht, problemi duket se ka lindur gjatë tentativës për të kaluar kufirin. Ai tregoi se zyrtarët kufitarë e morën në pyetje në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit në një proces që zgjati mbi 11 orë, përpara se të ndalohej në një qeli paraburgimi e më pas të kthehej mbrapsht në Stamboll të Turqisë, ku kishte nisur edhe udhëtimin e tij.
Pasi The Athletic kontaktoi Shtëpinë e Bardhë për një koment lidhur me këtë çështje, një zyrtar i lartë i administratës deklaroi: “Pas një kontrolli më të hollësishëm nga CBP (Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së), u zbuluan informacione komprometuese, duke përfshirë lidhjet me anëtarë të dyshuar të organizatave terroriste, çka e bën udhëtarin të papërshtatshëm për t’u pranuar në Shtetet e Bashkuara sipas Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë (INA).
Udhëtarit iu refuzua hyrja dhe iu dhanë formularët e emigracionit që specifikojnë nenin e ligjit të përdorur për të kryer një dëbim të përshpejtuar sipas nenit 8235 të INA-s. Administrata e Presidentit Trump nuk do të lejojë asnjë kërcënim të sigurisë të hyjë në vendin tonë, pikë.”