Kuvendi u përfshi nga tensione e debate lidhur me arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Nga foltorja, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se e ka dërguar Erion Veliajn në paraburgimin e Durrësit për t’i mbyllur gojën me Xhevdet Troplinin, eksponent i botës së krimit. Kryetarja e Kuvendit i ndërpreu fjalën pasi ishte jashtë procedure ndërsa Garda rrethoi foltoren. Spiropali vendosi 5 minuta pushim. Berisha u shpreh:
Ka dërguar atje Xhevdet Troplinin, duke kërcënuar. Rama të ndërpresë presionin ndaj të burgosurit Erion Veliaj. E çoi në Durrës për ta trajtuar Troplini. Do përgjigjet Rama nëse ju ndodh gjë prokurorëve e gjyqtarëve.
Ju garantoj se do përgjigjeni të gjithë. I ka kapur tërbimi.. I papërgjegjshëm, shumë e rrezikshme për vendin pasi vetë ka marrë fund përfundimisht. Le t’i fshijë 100 herë fotografitë e Soros-it, Yuri Kim-it e të tjerëve nga mediat e tij, ai është i damkosur si kukull e Xhorxh Sorosit. Mendoni se do të paguajnë shqiptarët për Sorosin? Ligji për ndalimin e fondacionit dhe organizatave sorosiane që të kenë bashkëpunim me institucionet shqiptare, duhet të sillet e të votohet.
Elisa Spiropali u shpreh se kjo nuk është seancë gjyqi. Kryetarja e Kuvendit i ndërpreu fjalën edhe drejtuesit të grupit parlamentar Gazment Bardhi i cili kërkoi që kryeministri Rama të shkarkojë Erion Veliajn.
Respektoni prezumimin e pafajësisë!
Gazment Bardhi:
Mos e vuaj kaq shumë arrestimin e Erion Veliajt. Në vend që t’i kërkoni kryeministrit shkarkimin e një hajduti, vini na flisni për dinjitetin e Veliajt.
Në rend të ditës në Kuvend janë edhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor që kanë të bëjnë me votën e diasporës, si dhe shkarkimi i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
Kuvendi është mbledhur në seancë plenare ku që në fillim, deputeti Erion Braçe tha se KQZ-ka ka bllokuar nismën e barazimit të taksës 20% në Bujqësi. Duke e quajtur “të padrejtë”, i kërkoi Parlamentit të ecet përpara, si dhe përsëriti se do ta paguajë ai gjobën e KQZ-së. Deputeti demokrat Dashnor Sula iu përgjigj Braçes e tha se në komisionet e Ekonomisë dhe Ligjeve është diskutuar “Paketa e maleve” me qëllime elektorale. Nisma e propozuar nga socialisti Braçe kërkon barazimin e TVSH-së 20% në bujqësi. Komisioni i Ekonomisë kërkoi sqarime nga KQZ-ja se ku preket Kodi.