Aktualitet

Etika e përjashtoi 30 ditë nga Kuvendi, Shehaj: Nuk ma mbyllin dot gojën

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka reaguar pas vendimit të Sekretariatit të Etikës, që e përjashtoi me 30 ditë nga seancat plenare në Kuvend.

Shehaj në një video në rrjetet sociale shprehet se ky vendim përjashtimi nuk i “mbyll dot gojën” për të bërë opozitë dhe për të ngritur zërin për problemet që shqetësojnë qytetarët shqiptarë.

Kreu i Mundësisë thekson se betejën e tij opozitare do të vijojë ta bëjë në bulevard mes mijëra protestuesve dhe kudo tjetër, për të kërkuar largimin e Edi Ramës si kryeministër.

“Ulsiu dhe Taulanti sapo vendosën që unë nuk mund të flas në Parlament në 30 ditët e ardhshme. Iu kanë nxirë jetën në këto 35 vite qytetarëve shqiptarë duke ua bërë jetën të pamundur. Nuk kam për ta mbyullur gojën! Nuk më ndalojnë dot!”.

Ai shtoi se “do vazhdoj të bëj opozitë në Parlament, në bulevard me qytetarët dhe kudo që të më jepet mundësia. Janë të korruptuar dhe duhet të largohen sa më shpejt. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen”.

Përjashtimi i deputetit Agron Shehaj u kërkua nga Taulant Balla dhe një grup deputetësh socialistë pas përplasjes që kreu i Mundësia pati gjatë interpelancës me ministrin e Financave Petrit Malaj.

Ministri Malaj në përgjigjen e tij i përmendi Agron Shehajt kompanitë e tij private, duke i thënë: “Tani do merremi ne me ty”.

Kjo solli reagimin e Shehajt, i cili iu përgjigj nga foltorja: “Po nëse më kërcënon mua këtu në Kuvend, çfarë i bën një qytetari të thjeshtë që del në protestë ti, mor maskara?”.

Kjo është hera e dytë për vitin 2026 që Shehaj përjashtohet me 30 ditë nga mazhoranca në Kuvend.