Aktualitet Politikë

Kuvendi sot në seancë plenare, Rama dhe ministra thirren në interpelanca!

Kuvendi i Shqipërisë sot mblidhet në seancën e radhës plenare ku në rend dite është zhvillimi i 6 interpelancave, që hapen me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj. Deputetë demokratë i kërkojnë sqarime për situatën e krijuar lidhur me planin për të ndërtuar një resort luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, çka po sjell protesta masive.

Deputetë të PD-së kanë thirrur në interpelancë edhe ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari lidhur me ngjarjen e disa ditëve më parë në Lozhan të Maliqit ku ra në krye të detyrës efektivi Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij. Ligjvënësit e opozitës kërkojnë sqarime mbi mënyrën e organizimit e të drejtimit të operacionit policor.

Në vijim të seancës është parashikuar edhe një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj. Ndërkohë, deputeti Enno Bozdo ka kërkuar interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, për çështje që lidhen me sektorin ekonomik dhe politikat e zhvillimit.

Në fokus të opozitës edhe Ministria e Financave. Deputetët Agron Shehaj e Erald Kapri kanë depozituar dy kërkesa për interpelancë me ministrin Petrit Malaj.

Përveç interpelancave, rendi i ditës përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, njoftime dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Seanca plenare fillon në orën 10:00.