Aktualitet Politikë

Vrasja e efektivit dhe plagosja e kolegut, Kuvendi mban 1 minutë heshtje!

Kuvendi i Shqipërisë hapi seancën plenare me mbajtjen e një minute heshtje në nderim të efektivit të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili u qëllua për vdekje gjatë një operacioni për arrestimin e një të kërkuari.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkoi të mbahet heshtje dhe dënoi me forcën më të madhe ngjarjen, duke theksuar nevojën për dënimin maksimal të autorit.

Gjatë një operacioni të vështirë dhe plot guxim për kapjen e një personi shumë të kërkuar, i cili prej vitesh i fshihej policisë në malet e Korçës dhe i kishte shpëtuar rrethimeve të forcave të rendit, ka rënë në krye të detyrës efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, ndërsa një tjetër koleg i tij është plagosur. Autori, pasi ka hapur zjarr ndaj forcave të policisë së shtetit, ka mbetur i plagosur dhe është vënë në pranga.

Policia i ka shërbyer dhe i shërben vetëm me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve. Përplaset çdo ditë me keqbërës, ka derdhur gjak në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i policisë së shtetit është gjaku i vetë shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësve të policisë ka ngritur dorë kundër shtetit.

Balla i shprehu ngushëllime familjes së efektivit Mekolli dhe i uroi shërim sa më të shpejtë kolegut të plagosur.