Ekskluzivisht, Top Channel mëson se në Angli u arrestuan, tre prej gjashtë personave të kërkuar nga policia shqiptare për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, në lokalin në pronësi të tij në Shëngjin, më 19 prill. Bëhet e ditur se të prangosurit janë shqiptaro-britaniku Edmond Haxhia, si dhe britanikët Stephen Hunt e Thomas Mithan.
Përmes postës elektronike, Gjykata e Ekstradimeve në Londër konfirmoi për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, se mesditën e sotme ata do të dalin përpara kësaj gjykate për të vlerësuar masën e sigurisë. Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan u ndaluan në Londër përmes një operacioni të gjerë policor, një ditë pas marrjes së kërkesës nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë.
Pasditen e djeshme, një gjykatës i gatshëm në kryeqytetin britanik i vlerësoi “të ligjshme” e bazuar në legjislacionin anglez, urdhër-arrestet e lëshuara disa ditë më parë nga Gjykata e Lezhës.
Po ashtu, Top Channel mëson se operacioni për kapjen e tyre është koordinuar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Metropolitane në Britaninë e Madhe dhe Agjencinë Kundër Krimit të Organizuar, e njohur ndryshe si FBI-ja angleze, NCA.
Në këtë seancë, një prokuror anglez, i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar pritet t’i lexojë gjykatës kërkesën me arsyet se përse kërkohen tre të arrestuarit./Top Channel
Në Kakarriq të Lezhës, dje sërish policia kreu kontrolle në shtëpinë e Edmond Haxhisë, njëri prej të dyshuarve si i përfshirë në vrasjen për gjakmarrje të biznesmenit Ardian Nikulaj. Të enjten, aty u gjet motori i përdorur nga ekzekutori portugez. Motomjeti u sekuestrua nga blutë.
Autori i dyshuar që kreu ekzekutimin është shtetasi portugez Ruben Ribeiro Saraiva, i lindur në vitin 1995. Bashkëpunëtorët janë:
Edmond Ernest Haxhia, i lindur më 1985-ën, shtetas shqiptaro-britanik
Harry James Simson, shtetas britanik i lindur më 1991-shin,
Harriet Bridgeman, shtetase britanike, e lindur më 1995-ën
Thomas Mithan, shtetas britanik, i lindur në vitin 1988
Steven Paul Hunt shtetas britanik, i lindur në vitin 1974