Aktualitet

Autorë të 14 grabitjeve, arrestohen dy “skifterët” shqiptarë në Greqi!

Grabisnin banesa në periferinë veriore të kryeqytetit të Greqisë, Athinë, dy shqiptarë u vunë në pranga nga policia greke.  Siç rezultoi nga një hetim afatgjatë i autoriteteve, të arrestuarit e moshave 29 dhe 52 vjeç, vepronin që prej muajit shtator të këtij viti.

Zakonisht shfaqeshin në orët e mëngjesit e të pasdites. Për të realizuar vjedhjet, merrnin me qira automjete dhe thyenin dyert kryesore të shtëpive të shënjestruara.

Të dyshuarit piketonin banesat e synuara, duke shpërndarë fletëpalosje reklamash, për të mos ngjallur dyshime te banorët. Më pas, i binin zileve për të kuptuar nëse kishte apo jo njerëz.

Për të vështirësuar identifikimin e tyre, përdornin një sërë mjetesh “biznesi” të marra me qira. Ndër të tjera kanë arritur të heqin edhe çelësa nga pjesa e brendshme e shtëpive, për të krijuar një “bazë” që do të lehtësonte thyerjen e dyerve në të ardhmen. Po ashtu kishin një aplikacion të koduar mesazhesh për të komunikuar mes tyre.

Sipas informacioneve, në fund të shtatorit, viktimë e grabitësve ra edhe një punonjës policie. Pasi hynë në shtëpinë e tij në Halandri, kontrolluan të gjitha mjediset e morën bizhuteritë e gjetura, si dhe armën e shërbimit.

Në total u zbuluan 14 raste vjedhjesh në shtëpi në Holargo, Papagou, Neo Psihiko, Agia Paraskevi, Halandri dhe Ampelokipi, ndërkohë që vlerësohet se në total, përfitimi financiar nga aktiviteti i tyre kriminal, kalon shumën monetare prej 195 mijë eurosh.

Nga kontrollet e kryera në banesat e tyre, ndër të tjera, agjentët grekë zbuluan e sekuestruan 58 mijë e 150 euro, 8 mijë e 550 dollarë, bizhuteri të llojeve të ndryshme, si edhe ora, syze dielli, çanta, thika, veshjet e përdorura gjatë vjedhjeve dhe telefona celularë.