Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri të ditur se një person u arrestua për vrasjen e ish-kryetarit të Parlamentit, Andriy Parubiy, i cili u qëllua me armë zjarri në një rrugë të qytetit perëndimor të Lvivit.
Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, dhe kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Vasyl Maliuk, raportuan për arrestimin e një të dyshuari për vrasjen e Andriy Parubiyt, shkroi Zelensky në X.
Po vazhdojnë veprimet e nevojshme hetimore. Kam urdhëruar që informacioni i disponueshëm, t’i paraqitet publikut. I falënderoj oficerët tanë të zbatimit të ligjit për punën e tyre të shpejtë e të koordinuar. Të gjitha rrethanat e kësaj vrasjeje të tmerrshme duhet të bëhen të qarta.
Sipas një korrespondenti të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, i cili ishte në vendngjarje, Parubiy u qëllua për vdekje rreth mesditës më 30 gusht, në rrugën Jefremova, pranë banesës së tij. Autoritetet e zbatimit të ligjit konfirmuan se 54-vjeçari vdiq menjëherë nga plagët e marra.
Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës raportoi se nisi hetimet për vrasje dhe se agresori ishte në kërkim për “vrasje me paramendim”. Disa bashkëpunëtorë të Parubiyt fajësuan Rusinë në lidhje me ekzekutimin. Ligjvënësi Mykola Knyazhytskiy:
Vrasja e Parubiyt është hakmarrje e Rusisë për qëndrimet e tij. Parubiy u bë objektiv për shkak të mbështetjes së tij ndaj sovranitetit, sigurisë dhe unitetit të Ukrainës, përballë pushtimit rus.
Parubiy kishte rol të rëndësishëm në protestat e Maidanit gjatë viteve 2013-2014, të njohura në Ukrainë si Revolucioni i Dinjitetit.
Këto protesta u zhvilluan për shkak të vendimit të presidentit të atëhershëm, Viktor Yanukovych, për ta larguar Ukrainën nga Bashkimi Europian dhe për t’u afruar me Rusinë, një vendim që çoi në rrëzimin e tij e arratinë drejt Rusisë.