Mikel Arteta u ankua për opsionet e tij nga stoli, pasi Arsenali shpërdori një avantazh 2-0 kundër Aston Vilës disa orë pasi Darvin Nunjez kishte shpëtuar rivalët për titull, Liverpulin, pasi hyri nga stoli, duke siguruar një fitore në shtesë.
“Reds” ishin në gjendje të thërrisnin nga stoli zëvendësuesit Nunjez, Robertson, Keza, Xhons dhe Harvi Eliot, ndërsa këmbët e tyre të freskëta e lodhën përfundimisht Brentfordin, duke siguruar një fitore 2-0 në kohën shtesë në Londrën Perëndimore.
Por pasi Aston Vila barazoi epërsinë e Arsenalit me të njëjtin rezultat, duke i lënë ata gjashtë pikë pas kreut dhe me një ndeshje më pak për kryesuesit e Liverpulit, Arteta bëri vetëm një zëvendësim, duke aktivizuar Rahim Sterling në vend të Gabriel Martinelit në tetë minutat e fundit dhe në fund nuk arriti të sigurojë fitoren. “Ka momente, dhe padyshim që ata (Liverpuli) ia dolën të arrijnë fitoren”, tha Arteta.
LEXO EDHE: Ndalesa e Barcelonës, Flik i zhgënjyer: Shpërdoruam shumë dhe ndodhën mjaft gjëra
“Ata bënë zëvendësimet, dhe ata ndryshuan lojën. Nga ana jonë ishte e kundërta, edhe pasi pësuam dy golat shumë afër njëri-tjetrit. Rreziku ishte se e dija se gjysma e ekipit mund të shkonte në dishezë, sepse ne ishim të ezauruar fizikisht”. Por tekniku spanjoll mbrojti edhe njëherë skuadrën e tij: “Jam jashtëzakonisht krenar për këtë ekip. Ishte një paraqitje e jashtëzakonshme.
Por jam shumë i zhgënjyer, sepse mënyra sesi mbrojtëm ashtu siç bëmë te goli i dytë nuk mund të jetë pjesë e lojës sonë nëse duam të jemi në nivelin më të lartë në këtë vend. Nuk ishte askund afër standardit të kërkuar”.
Një mundësi për t’i ndryshuar gjërat është hyrja në merkaton e këtij muaji, për të cilin tekniku tha: “Kur shikoni paraqitjet, nuk e di se sa skuadra luajnë në këtë nivel në kampionat. Por kur shikoni pankinën, ndoshta do të thoshit se kemi shumë pak numra”. Arteta është i shqetësuar edhe për Uilliam Salibën, i cili e humbi ndeshjen me Vilën i dëmtuar, ndërsa trajneri tha se më shumë do të mësonte për gjendjen e mbrojtësit në orët në vazhdim.