Tirana dhe Vllaznia kanë ndarë pikët në një barazim pa gola dhe pa shumë shije mes tyre në “Elbasan Arena” ku triumfoi mërzia për spektatorët, por që la të lumtura ekipet të cilat nuk shohin të kompromentuara pozitat e tyre në renditje.
Futboll u luajt vetëm në pjesën e parë, ku Tirana ishte më kërkuese dhe pa t’i anulohen dy gola për pozicion jashtë loje, Pastaj në të dytën nuk kishte thuajse asgjë, pasi “klasikja” e futbollit shqiptar u kthye në një miqësore, me ritëm të ulët, vonesa të pafundme loje nga skuadrat, ndërprerje të vazhdueshme për faulle dhe shumë mërzi.
Në fund të dy skuadrat morën atë që u interesonte, të paktën nga një pikë që nuk u prish punë, duke parë edhe rezultatet e rivalëve direkt në renditje.
Teuta dhe Elbasani e kanë mbyllur me barazim pa gola sfidën e vlefshme për javën e 29-të të Superiores.
Një ndeshje që nuk pati shumë për të treguar. Dhe pse Teuta me Elbasanin patën rastet e tyre, gjithçka u mbyll me rrjeta të paprekura.
Në përfundim të kesaj jave, Elbasani mbetet në vendin e pestë dhe Teuta në vendin e parafundit.
Partizani dhe Dinamo janë klubet e vetme që festojnë 3 pikët, që morën ndaj Skënderbeut dhe Bylisit.
Dinamo rimerr vendin e dytë, ndërsa Partizani konsolidon pozitat në Final Four. Ngjitja e Laçit në vendin e gjashtë përbën të vetmin ndryshim në renditje pas këtij raundi.
Skënderbeu në fund duket skuadra me më pak shpresa për mbijetesën.