Australia akuza Iranit për dy sulme antisemite me zjarrvënie në dy qytete të vendit, Sidnei dhe Melburn, si edhe e urdhëroi ambasadorin iranian të largohet nga vendi brenda shtatë ditësh. Ky është dëbimi i parë i këtij lloji që nga Lufta e Dytë Botërore.
Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, shtëpitë, shkollat, sinagogat dhe automjetet në Australi janë vënë në shënjestër të vandalizmave dhe zjarrvënieve antisemite. Kryeministri Anthony Albanese, tha se Agjencia Australiane për Inteligjencën dhe Sigurinë ka mbledhur të dhëna të besueshme se Irani kishte drejtuar të paktën dy nga këto sulme.
Këto ishin akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme agresioni, të orkestruara nga një shtet i huaj në tokën australiane, u shpreh Albanese në një konferencë për shtyp. Ishin përpjekje për ta minuar kohezionin social dhe për të mbjellë përçarje në komunitetin tonë.
Sipas tij, Irani u përpoq ta “fshihte përfshirjen” në sulmet e vitit të kaluar ndaj një restoranti në Sidnei dhe sinagogës Adass Israel në Melburn. Albanese shtoi se agjencia e sigurisë së Australisë vlerëson se është e mundur që Irani të ketë drejtuar edhe sulme të tjera.
Australia i ka pezulluar operacionet në ambasadën e saj në Teheran dhe të gjithë diplomatët mbahen të sigurt në një vend të tretë, tha kryeministri, duke shtuar se qeveria e tij do ta shpallë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si organizatë terroriste.
Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, vuri në dukje se ambasadori Ahmad Sadeghi dhe tre zyrtarë iranianë kanë shtatë ditë kohë për t’u larguar. Kjo do të jetë hera e parë që një ambasador dëbohet nga Australia që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ambasada e Izraelit në Australi e mirëpriti këtë veprim ndaj rivalit të saj kryesor, Iranit.
Regjimi i Iranit nuk përbën kërcënim vetëm për hebrenjtë ose Izraelin, ai rrezikon gjithë botën e lirë, përfshirë Australinë”, njoftoi ambasada izraelite në X.
Izraeli dhe Irani e zhvilluan një luftë ajrore 12-ditore në muajin qershor, pasi Izraeli nisi sulme ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Rreth 90 mijë njerëz të lindur në Iran jetojnë në Australi.