Celebrities

Autorja e librit “It Ends with Us” tregon rrugëtimin e trajtimit nga kanceri!

Colleen Hoover, autorja e librit më të shitur “It Ends with Us”, ndau një foto të vetën në një qendër onkologjike në Teksas, në Instagram. Me shaka e shoqëroi foton në mbishkrimin:

Dita e fundit e radioterapisë. Do të doja ta fajësoja Teksasin për flokët dhe fytyrën time, por ishin të përsosura. Shpresoj që të mos keni nevojë kurrë për to, por i rekomandoj shumë.

Në dhjetor foli mbi diagnozën, në profilin e saj në Facebook. Nuk e zbuloi se ku, por shkroi se i qe nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për ta hequr e më pas do të vazhdonte me radioterapinë.

Dyshimet lindën kur gjatë xhirimeve të adaptimit filmik të librit të ri, nisi të vuante nga probleme shëndetësore të vazhdueshme. Megjithatë, vendosi të mos merrej me to, para përfundimit të filmit.

Por, kur doli filmi i bazuar në librin e saj, “Regretting You”, njoftoi se nuk do të merrte pjesë në eventet promovuese.

Jam jashtëzakonisht e zhgënjyer, por duhet t’i nënshtrohem një operacioni që nuk mund ta shmang dhe nuk do të jem në gjendje të udhëtoj për disa kohë, shkroi në Instagram, në tetor. Jam shumë e trishtuar që humbas premierën e këtij filmi. Jam mirënjohëse ndaj aktorëve dhe të gjithë ekipit që e bënë të mundur.

“It Ends with Us”, bazuar në romanin më të shitur të Hoover-it me të njëjtin emër, pati një sukses komercial, ndonëse u eklipsua nga beteja ligjore që shpërtheu midis yllit të filmit, Blake Lively dhe kolegut e regjisorit, Justin Baldoni. Një betejë që autorja kishte thënë se e konsideronte “zhgënjyese” dhe “të pafat”:

Më duket si një cirk. Ka njerëz të vërtetë të përfshirë, me emocione të vërteta. E gjithë kjo ka një ndikim të madh në karrierën e aktorëve. Dhe unë e gjej, në çdo mënyrë, të trishtueshme. Thjesht përpiqem të qëndroj larg negativitetit. Mund të tregoj historinë time… por nuk dua të tërheq vëmendjen te vetja.