Health & Beauty Lifestyle

Alarm nga shkencëtarët! 11 lloje kanceri po godasin gjithnjë e më shumë të rinjtë?

Një analizë e gjerë e realizuar në Mbretërinë e Bashkuar ka ngritur shqetësim serioz, pasi tregon se të paktën 11 lloje të ndryshme kanceri po shfaqen gjithnjë e më shpesh tek të rinjtë.

Studimi, i kryer nga “The Institute of Cancer Research” dhe “Imperial College London”, evidenton rritje të rasteve në grupmoshat nga fundi i adoleshencës deri në të 40-at, një trend që prej vitesh ka habitur komunitetin shkencor.

Ekspertët dyshojnë se një nga faktorët kryesorë mund të jetë shtimi i mbipeshës dhe obezitetit gjatë dekadave të fundit. Sipas tyre, yndyra e tepërt trupore mund të ndikojë në hormone si insulina, duke rritur rrezikun për zhvillimin e sëmundjes.

Mes llojeve të kancerit që po rriten tek të rinjtë përmenden ai i zorrëve, tiroides, mëlçisë, veshkave, pankreasit, fshikëzës së tëmthit, si edhe kanceri i gjirit, vezoreve dhe gojës.

Ndër më shqetësuesit mbetet kanceri i zorrës së trashë dhe ai i gjirit, me rreth 11,500 raste në vit.

Një rast tronditës që ilustron këtë realitet është ai i Bradley Coombes nga Portsmouth, i cili humbi jetën në moshën 23-vjeçare nga kanceri i zorrëve.

Pavarësisht simptomave të dukshme, ai u konsiderua për muaj të tërë “shumë i ri” për një diagnozë të tillë dhe sëmundja iu zbulua vetëm pas 18 muajsh, kur tumori kishte avancuar rëndë.

Studiuesit theksojnë se faktorët klasikë si duhani, alkooli, mungesa e aktivitetit fizik apo dieta me pak fibra nuk janë përkeqësuar aq shumë sa të shpjegojnë plotësisht këtë rritje.

Për këtë arsye, po hetohen edhe faktorë të tjerë si ushqimet ultra të përpunuara, ndotja e ajrit, përdorimi i antibiotikëve dhe ndryshimet në bakteret e zorrëve.

Megjithatë, ekspertët kujtojnë se kanceri mbetet ende më i zakonshëm tek moshat e mëdha, por rritja e rasteve tek të rinjtë po shihet si sinjal alarmi që nuk duhet injoruar.