Pas disfatës me Real Sociedad dhe barazimit me Celta Vigon, Barcelona ka hedhur një tjetër hap fals në kampionat, kësaj radhe duke u mposhtur në shtëpi 1-2 nga Las Palmas.
Një sfidë që rezultoi e lehtë për katalanasit e Hansi Flick në letër, nuk rezultoi ashtu në fushën e lojës përballë skuadrës që këtë vit ka si objektiv mbijetesën.
Pjesa e parë u mbyll me dominimin e Barcelonës, e cila nuk e gjeti dot rrugën e rrjetës, gjë që e bënë miqtë në minutën e 49’ me anë të Sandro Ramirez, i cili në një kundërsulm, nuk gaboi përballë Penas.
LEXO EDHE: VIDEO/ Myrto Uzuni “përbindësh” në Spanjë, shënon golin e rekordit me fanellën e Granadës
Në minutën e 61’, ishte kapiteni Raphina ai i cili barazoi sfidën me një goditje nga jashtë zone, me tifozët që menduan se do të shihnin përmbysjen e duelit, por pas 6 minutash, sërish në një kundërsulm, miqtë kaluan sërish në avantazh falë Fabio Silvës.
Edhe pse përpjekjet e katalanasve nuk ishin të pakta, sërish goli i barazimit nuk erdhi, me kryesuesit e La Ligas që dolën nga ky takim pa asnjë pikë.
Kështu gara në elitën e futbollit spanjoll është rihapur sërish, me Realin që ndodhet 4 pikë mbrapa Barcelonës, por me dy ndeshje në dorë për t’i luajtur.