Sport

Barcelona për “Topin e Artë” si në ekskursion me shkollën, Laporta: Jamal dhe Kubarsi na blenë të gjithëve hamburger!

Barcelona udhëtoi drejt Parisit me një delegacion të zgjeruar për të marrë pjesë në ceremoninë e “Topit të Artë”, ku shpresa ishte që në fund të kthehej me fituesin e trofeut, pasi Lamin Jamal ishte një prej favoritëve në garë. Në fund, katalanasit panë ish-futbollistin e tyre Ousman Dembele të kurorëzohej fitues, por sipas presidenti Joan Laporta, ishte një eksperiencë e këndshme për të gjithë.

Ai ka treguar për radion “RAC1” se ekipi ishte kthyer që në orët e para të mëngjesit në Barcelonë, pasi trajneri Hansi Flik, kishte këmbëngulur që të kishte stërvitje edhe sot, duke mos lejuar dy ditë pushim. Dhe darkën para udhëtimit të kthimit, ia kishin ofruar lojtarët.

 “U kthyem në orën 5 të mëngjesit, pasi Flik dëshironte që të punonte edhe sot me ekipin. Duhet të llogaritni që duke shkuar në aeroport kur po largoheshim, e kuptuam që thuajse nuk kishim ngrënë asgjë gjatë gjithë ditës mes udhëtimeve, përgatitjeve dhe mbrëmjes gala, ndaj ishim shumë të uritur. Dhe më pas kur ishim rrugës për në aeroport, Lamin Jamal pa një vend ku bënin hamburger , u ndalëm, u ulën ai dhe Kubarsi dhe blenë për të gjithë dhe i hëngrëm rrugës. Ishin shumë të mirë”, tha duke qeshur Laporta teksa përshkruante këtë skenë që dukej më shumë si një ekskursion shkollor.

Ai tregoi se nuk kishin asnjë ide për fituesit para momenti të hapjes së zarfeve.

“Udhëtuam pa e ditur rezultatin e votimeve. Nuk e dinin as ata që i dorëzonin çmimet, pasi i pyeta Iniestën dhe Ronin. Por as ata nuk dinin gjë. Nuk e dinin as Çeferin dhe as pronarja e “France Football”, përkrah të cilës isha ulur në mbrëmjen gala, të cilët më thanë që preferonin të mos e dinin se kështu nuk ua tregonin fëmijëve dhe shmangej rreziku që të përhapej. Unë u përpoqa të mësoja rezultatin duke folur me disa autoritet të larta shtetërore në Francë.

Jamal? Lamin është mirë, do i kishte pëlqyer të fitonte, ashtu si edhe Rafinjas, por ishim në dyert e finales së Ligës së Kampioneve. Të fitosh dy çmime Kopa të njëpasnjëshëm është diçka që askush nuk e ka bërë më parë. Ai është i motivuar për të vazhduar të punojë dhe ta fitojë vitin e ardhshëm. Është një profesionist i madh i cili punon shumë dhe jep gjithçka në stërvitje, ai do të bëhet më i miri në botë. Dhe në ekipin e femrave, Aitana ishte euforike dhe treguam investimin që kemi bërë në futbollin e femrave, edhe pse është shtuar shumë konkurrenca në Europë”, tha Laporta.