Aktualitet

BB: Vetëm 46% e të rriturve në Shqipëri kanë një llogari bankare!

Vetëm 46% e të rriturve në Shqipëri kanë një llogari bankare, sipas të dhënave më të fundit të vitit të kaluar nga Banka Botërore. Këto të dhëna janë pjesë e raportit Global Findex 2025, i publikuar këto ditë dhe që ofron një panoramë globale mbi përfshirjen financiare të qytetarëve në më shumë se 120 shtete.

Në Shqipëri, anketa është zhvilluar me 1 mijë vetë e ka treguar se përkundër përmirësimeve, krahasuar me vitin 2011 kur afërsisht 30% kishin një llogari bankare, vendi ynë vijon të mbetet pas mesatares globale, që më 2024-ën arriti në 79%. Në nivel global, përfshirja financiare ka shënuar përparim të ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.

Nga viti 2011 e deri më 2024-ën, niveli i të rriturve që kanë një llogari bankare është rritur me 28 pikë përqindjeje, nga 51% më 2011-ën në 79% vitin e kaluar. Rritja ka qenë më e theksuar në vendet me të ardhura të ulëta e të mesme, ku zhvillimet teknologjike, veçanërisht pagesat dixhitale dhe platformat celulare, kanë luajtur një rol kyç në zgjerimin e aksesit financiar.

Sipas raportit për Shqipërinë:

35% e të anketuarve kanë kryer ose kanë marrë një pagesë dixhitale

Vetëm 15% përdorin një llogari bankare për të kursyer

11% kanë marrë kredi nga institucione formale si banka ose kompani financiare

93% e shqiptarëve zotërojnë një telefon celular

83% kanë përdorur internetin gjatë tre muajve të fundit

Të dhënat për Shqipërinë janë mbledhur nga 15 maji deri më 26 qershor 2024 dhe anketa ka një marzh gabimi prej rreth 3.5%. Banka Botërore bën të ditur se zonat shumë të thella rurale, që përfaqësojnë rreth 2% të popullsisë, nuk janë përfshirë në kampion për shkak të vështirësive në aksesim.