Aktualitet

Numri i kartave të pagesave u rrit më tej në tremujorin I!

Biznesi i kartave të pagesave shënoi rritje edhe në tremujorin e parë të këtij viti, si në numrin e tyre, ashtu edhe në volumin e përdorimit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit mars, numri i kartave aktive arriti në 1.54 milion, në rritje me 2.2% që nga fillimi i vitit.

Në masën dërrmuese, rritja është mbështetur nga zgjerimi i vazhdueshëm në segmentin më të madh, atë të kartave të debitit, por edhe në tendencat pozitive në numrin e kartave të kreditit e pjesërisht edhe të kartave me funksion paraje elektronike.

Numri i kartave të debitit në fund të 3-mujorit 2025 arriti në 1.35 milion, në rritje me 2.1% që nga fillimi i vitit. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën pothuajse 88% të numrit të përgjithshëm të kartave të pagesave.

Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve e individëve. Rritja e numrit të tyre tregon njëkohësisht përmirësim të përfshirjes financiare dhe zgjerim të përdorimit të produkteve bankare nga publiku.

Vitin e kaluar, hyri në fuqi ligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Vlerësohet se ligji i ri i ka dhënë një shtysë të mëtejshme përdorimit të llogarive bankare nga shqiptarët, si dhe kartave të debitit, si instrument i lidhur me llogarinë e pagesës.

Sipas ligjit, llogaria e pagesave me shërbime bazike u ofrohet konsumatorëve në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit dhe historikut të aftësisë paguese. Për mbajtësit e kësaj llogarie, bankat duhet të ofrojnë disa shërbime bazike të pagesave pa aplikuar tarifa ose kundrejt një tarife të arsyeshme.

Ndërkohë, produkti tjetër konsumator, ai i kartave të kredititi, ka shfaqur një ecuri pozitive. Në fund të marsit, sektori financiar raportonte më shumë se 117 mijë karta krediti aktive, me një rritje me 3% që nga fillimi i vitit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 3-mujorin 2025, pagesat me kartë në terminalet POS arritën vlerën e 22.8 miliardë lekëve ose 10% më shumë krahasuar me mesataren tremujore të vitit të kaluar.

Veprimet me karta janë në rritje edhe në numër transaksionesh. Për 3 muajt e vitit 2025, klientët e sektorit bankar kanë kryer rreth 5.85 milion pagesa me kartë, shifër kjo 19% më e lartë krahasuar me mesataren tremujore të vitit të kaluar.

Pesha e veprimeve me kartë në terminalet POS për 3-mujorin 2025 përbënte rreth 17% të totalit të veprimeve karta bankare, nga 16% që ishte ky raport për vitin 2024.

Megjithëse veprimet me karta vazhdojnë të dominohen nga tërheqjet cash në ATM, pesha e pagesave elektronike në vitet e fundit është në rritje dhe për 3-mujorin I 2025 ka prekur nivelin më të lartë historik./ Monitor