Një raport i ri i Carnegie Europe e pozicionon Shqipërinë ndër partnerët më të afërt politikë të Bashkimit Evropian në nivel global, në një moment kur siguria ekonomike dhe varësitë strategjike janë kthyer në një nga shqetësimet kryesore të Brukselit.
Studimi, i publikuar në qershor 2026 nga eksperti i njohur i politikës së jashtme dhe tregtisë ndërkombëtare Sinan Ülgen, analizon mënyrën se si Bashkimi Evropian po përballet me një botë gjithnjë e më të polarizuar, ku zinxhirët e furnizimit dhe tregtia përdoren si instrumente presioni politik dhe gjeopolitik.
Sipas raportit, Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve të quajtur “Diplomatic Circle”, shtete që kanë afërsi të lartë politike me Bashkimin Evropian, por që ende nuk luajnë një rol të madh në furnizimin e ekonomisë evropiane me produkte strategjike.
Në këtë kategori Shqipëria renditet e dyta, menjëherë pas Malit të Zi, ndërsa pas saj vijnë vende si Gjeorgjia, Argjentina, Republika Domenikane, Kosta Rika dhe Panama.
Autorët e studimit e matin këtë afërsi përmes analizës së votimeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara gjatë periudhës 2020-2025.
Sa më shumë një shtet të përputhet me pozicionet e vendeve të Bashkimit Evropian në organizatat ndërkombëtare, aq më i lartë konsiderohet niveli i afërsisë së tij gjeopolitike me BE-në.
Raporti argumenton se Bashkimi Evropian po kalon nga një model i bazuar kryesisht te efikasiteti ekonomik drejt një qasjeje ku siguria e furnizimeve, teknologjia dhe konsideratat gjeopolitike po bëhen po aq të rëndësishme sa tregtia e lirë.
Autorët paralajmërojnë se pandemia, lufta në Ukrainë dhe rivaliteti SHBA-Kinë kanë treguar se varësitë ekonomike mund të shndërrohen në mjete presioni politik.
Në këtë kontekst, Brukseli po kërkon të ndërtojë marrëdhënie më të forta me vende që konsiderohen politikisht të besueshme.
Raporti identifikon si “bërthamë strategjike” partnerë si Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Koreja e Jugut, Japonia, Kanadaja, Australia dhe Turqia, ndërsa Shqipëria renditet në grupin e vendeve që ndajnë vlera dhe orientime të ngjashme me BE-në, por që mund të luajnë një rol më të madh në të ardhmen.
Në anën tjetër, studimi evidenton se Bashkimi Evropian vazhdon të ketë varësi të konsiderueshme nga vende si Kina, India, Brazili apo Emiratet e Bashkuara Arabe për një sërë produktesh strategjike, veçanërisht në sektorët e teknologjisë, elektronikës dhe lëndëve të para.
Vetëm Kina përfaqëson rreth një të katërtën e importeve strategjike të konsideruara kritike për ekonominë evropiane.
Për Shqipërinë, renditja në krye të grupit të vendeve me afërsi të lartë gjeopolitike ndaj Bashkimit Evropian përbën një vlerësim të qartë të kursit euroatlantik të ndjekur prej vitesh.
Ajo vjen gjithashtu në një moment kur Tirana po negocion anëtarësimin në BE dhe kërkon të përshpejtojë procesin e integrimit, duke u paraqitur si një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të pasigurt.