Rajoni

BE-ja i kërkon Serbisë të mos i forcojë lidhjet me Rusinë!

Bashkimi Europian përsëriti thirrjen ndaj Serbisë, që si vend kandidat për anëtarësim, të përshtasë me të BE-së, qëndrimin e saj në Politikën e Jashtme, si dhe të shmangë hapat që janë në kundërshtim me këto qëndrime. Referuar diplomatëve të Unionit, kjo kërkesë vlen sidomos kundrejt Rusisë, ndaj të cilës Unioni vazhdojë të vendosë sanksione për shkak të luftës së nisur në Ukrainë.

Kjo në kohën kur Serbia po vijon të kultivojë raporte miqësore me Moskën. Një zëdhënës i BE-së, i cili iu referua vizitës së fundit të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç në Moskë, si dhe takimit të tij me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, u shpreh se “BE-ja ka marrë hapa për të izoluar Rusinë, i ka ulur në minimum kontaktet dhe po përgatit një paketë të re sanksionesh, ndaj pret që si vend kandidat, Serbia të mos ndërmarrë hapa kundër kësaj politike të Bashkimit Europian.

Si vend kandidat, Serbia duhet t’i shtojë përpjekjet për t’u përshtatur me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, si çështje me shumë prioritet. Prandaj duhet të përmbahet nga veprimet apo deklaratat, të cilat shkojnë kundër qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme.

Ndërkohë, diplomatë nga disa vende anëtare kanë thënë se krahas mungesës së progresit në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën, çështjeve të sundimit të ligjit, edhe bashkëpunimi i ngushtë i Serbisë me Rusinë ka ndikim që të mos hapen disa kapituj negociues në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, edhe pse sipas Komisionit Europian, Serbia i ka përmbushur kushtet teknike për këtë.