Rajoni

BE-ja mohon se propozimi i Albin Kurtit ishte i vetmi në tryezë!

Bashkimi Europian hedh poshtë deklaratën e Albin Kurtit se në takimin me Aleksander Vuçiçin në Bruksel, vetëm ai paraqiti propozim për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Para palëve, Unioni paraqiti plan zbatimi.

Duke rikujtuar se kryediplomati europian, Josep Borrell njoftoi se BE-ja e ka dorëzuar propozimin e kompromisit që zbatimi të shkojë paralelisht, Brukseli vuri në dukje se që në qershor, i dërguari për Dialogun, Mirosllav Lajçak,  prezantoi një plan. Madje, për këtë plan deri tani ka zhvilluar shtatë raunde takimesh.

Pohimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se në tryezë ishte vetëm propozimi i tij, thjesht nuk ishte i saktë.

Dokumenti ku bazohen burimet e BE-së përmend pjesën që zbatimi do të niste me “Hapjen e procesit negociues për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë”, që nënkupton Asociacionin e Komunave. Paralelisht, Serbia nuk do të insistonte më në pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale.

Më pas do të përmbylleshin negociatat për “Statutin e instrumenteve të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”. Sipas këtij propozimi të BE-së, hap i radhës do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës apo nxitjes së saj.

Referuar BE-së, më tej do të vendoseshin “instrumentet e vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës” dhe paralelisht do të ndërpriteshin strukturat e administruara nga Serbia në Kosovë. Kjo do të pasohej nga njohja e dokumenteve dhe simboleve shtetërore.

Si hap i radhës do të ishte marrëveshja për një udhërrëfyes të detyrueshëm për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog.

Formalizimi i statutit të Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë do të përbënte hapin e radhës, pasuar nga rregullimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme. Pas kësaj, Serbia nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare ndërsa Kosova do të kompletonte procedurën e brendshme për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe.

Sipas propozimit të BE-së, po ashtu do të vendosej një grup i veçantë i punës, i udhëhequr nga Unioni për zbatimin e neneve të marrëveshjes. Më tej do të pasonte organizimi i konferencës së donatorëve dhe përgatitja e projekteve nga palët.

Në fund, sipas këtij propozimi të BE-së do të nisnin negociatat për marrëveshjen ligjërisht detyruese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve.

Ky dokument në të cilin bazohen burimet e BE-së, mban datën e 19 korrikut të këtij viti.