Politikë

“Rama i transportoi paratë me avionin privat jashtë shtetit”/ Berisha: BE të nisë hetim

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se eurodeputeti Tomas Zdeçovski ka denoncuar Edi Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para jashtë shtetit.

Sipas Berishës, “Zdeçovski, denoncoi dje në një nga mediat e Tiranës, Edi Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para jashtë shtetit.

“I bëj thirrje Prokurorit Publike të BE, por edhe Interpolit dhe Eurojust që të nisin hetimet për Ramën që transporton paratë me avion si diktator afrikan”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD e e quan këtë si një nga “aktakuza më e rëndë që i bëhet personalisht Edi Ramës dhe familjarëve të tij nga një personalitet i shquar në Parlamentin Evropian, i cili shprehet se po ndjekim paratë”.

“140 fluturime të Edi Ramës në dy vite me avion në dispozicion, kanë ngjallur dyshime të ligjshme në mbarë Evropën.

Dëshiroj dhe uroj që mediat të mos e censurojnë këtë deklaratë bombë të një autoriteti të vërtetë në Parlamentin Evropian, ndaj dhe i lutem zyrës së shtypit t’ia dërgojë pa përjashtim të gjitha medieve me shpresë se do heqin dorë nga censura e një lajmi për të cilin është i interesuar çdo shqiptar i ndershëm pavarësisht nga përkatësia partiake.

PD nuk është mjaftuar me kaq. PD ka paraqitur kërkesën për komisionin hetimor parlamentar për këtë çështje, si një çështje themelore dhe Edi Rama e ka refuzuar në mënyrë kategorike komisionin. Ka të dhëna tronditëse. Ka të dhëna që provojnë transportin e parave.

Ka të dhëna që faktojnë se valixhet diplomatike të qeverisë shqiptare, me Ismail dhe pa Ismail, janë numerikisht më të shumta se të gjitha valixhet diplomatike të Evropës. Ju keni parë dhe keni konstatuar ambasadat tona të implikuara në transporte droge.

Por, deklarata bombë e europarlamentarit cek është një kontribut madhor pasi PD do rikthejë përsëri kërkesën për krijimin hetimor parlamentar për të hetuar transportin e parave dhe të drogës me avionin privat taksi të Edi Ramës në mbarë Evropën dhe më gjerë.

I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust të angazhohen në hetimet më serioze të Edi Ramës që sillet si diktatorët e dikurshëm të Afrikës, që mbushin avionët me kartëmonedha dhe i sjellin në banka të ndryshme. Ky hetim ka një vlerë dhe rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët”, u shprehet Berisha.