Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj tha se forca e tij politike po merr qytetarë në telefon dhe po iu dërgon mesazhe, për të kërkuar mbështetjen e tyre e në një intervistë televizive vuri në dukje se ndër ta ka edhe anëtarë të Partisë Demokratike.
Një ditë më parë, kryetari demokrat Sali Berisha e akuzoi Shehajn për vjedhjen e databazës së Partisë Demokratike në pabesi të plotë. Por, Shehaj e përgënjeshtron deklaratën dhe shprehet se “kur Lulzim Basha i mori gjithçka” ishte pikërisht ai që i dha Berishës të dhënat e Partisë Demokratike.
Thotë që unë paskam vjedhur. Nuk është e moralshme kjo gjë, sepse unë kur kam qenë në zgjedhje me Lulzim Bashën, Lulzim Basha më ka mohuar të drejtën e listave të votuesve të Partisë Demokratike. Unë mora disa informacione në lidhje me garën kundër Lulzim Bashës dhe të vetmet informacione që unë kam, kanë të bëjnë me këtë moment të garës së Lulzim Bashës.
Kur Lulzim Basha vodhi databazën, vulën, selinë, vodhi gjithçka, Partia Demokratike e vërtetë, ajo e Sali Berishës, ishte pa asnjë gjë. Nuk dinin ku ishin. Nuk kishin seli, nuk kishin të dhëna, nuk dinin kush ishin anëtarët, nuk kishin absolutisht asgjë. Të vetmet informacione që kanë patur për të rindërtuar strukturat e Partisë Demokratike, i kanë marrë nga unë.
Unë i kam ndihmuar me informacione në lidhje me strukturat e Partisë Demokratike dhe për këto informacione që unë i kam dhënë, që normalisht i kisha, këta më akuzojnë tani që unë i kam vjedhur. Unë nuk po them që unë nuk i kam, por unë po i marr të gjithë.