Politikë

Berisha paralajmëron Ramën: Protesta e rinisë është uragan, PD në mbështetje qytetarëve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë sot në një konferencë për shtyp për të shprehur mbështetjen e plotë të opozitës për protestën e rinisë dhe qytetarëve që prej 12 ditësh po zhvillohet në Tiranë, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë dhe e kryeministrit Edi Rama.

Berisha e ka cilësuar këtë protestë si një “uragan të fuqishëm”, që tejkalon ndarjet politike dhe shpreh pakënaqësinë e thellë qytetare ndaj modelit aktual të qeverisjes. Ai ka bërë thirrje që çdo demokrat, mbështetës i PD-së, por edhe çdo qytetar i vendit, të bashkohet në këtë lëvizje qytetare masive, duke e përshkruar si një mision për shpëtimin e Shqipërisë nga një regjimi autokratik dhe narkoregjimi.

Lideri i opozitës ka kritikuar qeverinë për përpjekjet për të neutralizuar protestën, duke organizuar antimitingje “mafioze dhe anakronike”, të cilat sipas tij nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet e Partisë Socialiste dhe janë një tentativë për të sfumuar zërin e rinisë. Ai paralajmëroi se këto veprime të qeverisë mund të çojnë vendin drejt kaosit dhe i bëri thirrje opinionit publik, brenda dhe jashtë vendit, të mbështesë lëvizjen qytetare.

Berisha ka kërkuar gjithashtu reflektim nga Partia Socialiste, duke theksuar nevojën për ndëshkimin e gabimeve të qeverisë dhe zhbërjen e lidhjes mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar. Ai ka përmendur se çdo ligj antikushtetues dhe në kundërshtim me direktivat e BE-së duhet të anulohet, duke theksuar rolin kritik të PD-së në opozitë dhe angazhimin për mbrojtjen e interesit publik.

Protesta e rinisë dhe qytetarëve është shndërruar në një lajm ndërkombëtar, duke tërhequr vëmendjen e mediave më të mëdha në botë, dhe Berisha thekson se kjo është një mundësi historike për të vendosur një fund për regjimin aktual dhe për të mbrojtur demokracinë në Shqipëri.

Në përfundim, lideri demokrat ka bërë thirrje për bashkëpunim, unitet dhe pjesëmarrje masive në protestë, duke e cilësuar atë si një lëvizje paqësore, por vendimtare për të ardhmen e vendit.