Bota

Bjellorusia kërkon garanci sigurie nga Rusia për ta mbrojtur!

Bjellorusisë i nevojiten garanci se Rusia do ta mbrojë këtë vend sikur ta ketë territorin e saj. Lideri autoritar bjellorus, Alexander Lukashenko, sot bisedoi me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk. Raportohet edhe se Lukashenko u shpreh se ka folur me homologun rus, Vladimir Putin lidhur me garancitë për siguri.

Në fjalimin vjetor drejtuar kombit, më 31 mars, Lukashenko mbrojti planin e Rusisë për të vendosur armë taktike bërthamore duke përfshirë raketa balistike ndërkontinentale, nëse është e nevojshme, në territorin e Bjellorusisë.

Vendi është i ekspozuar ndaj kërcënimeve në rritje që vijnë nga Perëndimi.

Por, presidenti i njohur për aleancën e ngushtë me Putinin, nuk ofroi asnjë provë për ndonjë kërcënim konkret nga Perëndimi.

Minsku zyrtar nuk ka dërguar trupa për të luftuar së bashku me forcat e Moskës në Ukrainë, por Lukashenko e ka lejuar Rusinë që të përdorë Bjellorusinë, vend që në veri kufizohet me Ukrainën. Këtë e bëri kur nisi pushtimi, në shkurt të vitit të kaluar.

Po ashtu i dha Rusisë akses të plotë në bazat ajrore, mundësoi stërvitjet e përbashkëta dhe trajtimin e ushtarëve të plagosur rusë në territorin bjellorus.

Duke folur për pushtimin rus në Ukrainë, që Moska e quan “operacion special ushtarak”, Lukashenko bëri thirrje për bisedime urgjente për një armëpushim “pa parakushte”.

Eshtë me rëndësi thelbësore të ndalet (lufta) tani, përpara se situata të përshkallëzohet. Të shpallet armëpushimi, bashkë me ndalimin e furnizimit të forcave ushtarake me armë dhe pajisje. Armëpushimi nuk mund të shfrytëzohet për të sjellë më shumë armë në konflikt, pasi Rusia mund të detyrohet të përdorë “armën më të frikshme” nëse ndihet e kërcënuar.

Duke pasur parasysh rolin e Bjellorusisë në konflikt dhe lidhjet e saj të ngushta me Rusinë, Ukraina ka refuzuar më parë ofertat nga Minsku për të ndërmjetësuar paqen. Bjellorusia ka bërë të qartë se nuk planifikon të hyjë në luftë.