Policia e Durrësit publikoi detaje lidhur me operacionin e një dite më parë në Shkozet ku ranë në pranga shtetasit Arbi Haxhiu e Aldi (Erald) Mustafa, me akuzën e armëmbajtjes pa leje. Drejtori Vilson Bala tha se në momentin e arrestimit, iu kap një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.

Aldi Mustafa ishte në kërkim për një ngjarje të ndodhur më 13 gusht, në Lagjen nr. 13 të qytetit bregdetar, ku u vu lëndë plasëse në një banesë. Ai rezulton i dënuar për drogë në Gjermani, ndërsa në vitin 2021 u kap në Durrës, i dyshuar se planifikoi një vrasje. Ndërkaq, i shpëtoi një atentati me tritol në makinë më 2023-shin.
Mbrëmjen e djeshme, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin me rrezikshmëri të lartë, të koduar “The next gun”.
Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga dy shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit A.M., 39 vjeç, dhe A.H., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.
39-vjeçari A.M., person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku është vënë lëndë eksplozive banesës së shtetasit I.Gj.
Bala foli edhe për sezonin turistik në qarkun Durrës:
Angazhimi dhe përkushtimi maksimal i strukturave vendore të Policisë së qarkut Durrës, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, si dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka bërë të mundur që sezoni turistik në qarkun Durrës të vijojë pa asnjë problem sa i përket rendit dhe sigurisë.
Përfitoj nga rasti t’i garantoj qytetarët e qarkut Durrës se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës vijojnë me intensitet veprimet hetimore për zbardhjen e çdo ngjarjeje kriminale të ndodhur më parë, kapjen e personave në kërkim dhe për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.