Aktualitet Tech

Bllokimi i faqeve dhe IP të dëmshme, AKEP: Dominuan tentativat për mashtrim financiar!

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP raportoi se vitin e kaluar, sulmet kibernetike për të cilat i është dashur të bashkëpunojë më shumë me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike lidheshin me tentativat për të marrë të dhënat personale, si dhe mashtrimin financiar. Në raportin e 2024-ës, AKEP-i nënvizon se bashkëpunimi është përqendruar tek tentativat “phishing”.

AKEP e ka mbështetur AKSK-në në lidhje me bllokimin nga sipërmarrësit e komunikimeve elektronike të Domain-eve dhe IP-ve me përmbajtje të dëmshme. Dihet fakti se në shumicën e rasteve, ndërhyrja e AKEP-it ka qenë vendimtare në mitigimin e sulmeve kibernetike, si në infrastruktura publike, ashtu edhe në infrastruktura private që garantojnë shërbime publike për qytetarët.

Gjatë 2024-ës, rastet më të shpeshta që vlen të përmenden ishin tentativat “phishing”, me qëllim marrjen e të dhënave personale të përdoruesve apo mashtrimin financiar. Specifikisht, tentativat e vazhdueshme nëpërmjet faqeve mashtruese sikur të jenë Posta Shqiptare apo banka të nivelit të dytë, vlerëson AKEP-i në raportin vjetor.

Sipas këtij institucioni, në shumë raste, bashkëpunimi mes dy institucioneve është shtrirë edhe te sipërmarrësit e komunikimeve elektronike e postare teksa gjatë vitit 2024, nuk ka pasur asnjë incident kibernetik të raportuar nga ana e sipërmarrësve.

Paralelisht me Autoritetin për Sigurinë Kibernetike duket se AKEP-i ka bllokuar edhe faqe që lidhen me piraterinë online, diçka që mbulohet nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Gjatë muajve tetor-nëntor të 2024-ës, AKEP-i raportoi se u inspektuan rreth 70 sipërmarrës të komunikimeve elektronike aktivë në Regjistrin e Përgjithshëm të Sipërmarrësve me shtrirje gjeografike në bashkitë Tiranë, Durrës, Shkodër, Përrenjas, Librazhd, Pogradec, Maliq, Korçë, Peqin, Rrogozhinë, Lushnje, Fier e Durrës.

Në përfundim, rezultatet e inspektimit përfshijnë:

– 13 masa administrative (gjobë) të ndërmarra kundër subjekteve që shkelin legjislacionin në fuqi për të drejtat e autorit dhe ofrojnë përmbajtje të paligjshme.

– Bllokimin e menjëhershëm të faqeve të paligjshme që transmetojnë materiale të mbrojtura nga të drejtat e autorit, përfshirë filma, seriale, muzikë e transmetime sportive.

– Rritjen e ndërgjegjësimit publik, duke njoftuar qytetarët dhe kompanitë mbi pasojat ligjore të konsumimit ose shpërndarjes së përmbajtjes pa të drejtë transmetimi.

– Përditësimin dhe publikimin e listës së domain-ve që duhet të jenë të bllokuar nga sipërmarrësit./Monitor