Aktualitet

Bloomberg: “Revolucioni i flamingove” në Shqipëri përhapet nga resorti i Kushner-it te elita politike!

Ndërsa protestat në Tiranë kanë hyrë në javën e dytë, ato janë përshkallëzuar nga kundërshtimi ndaj dy resorteve të planifikuara me vlerë 5 miliardë euro (5.7 miliardë dollarë), të lidhura me Jared Kushner dhe të parashikuara në zona me ndjeshmëri të lartë ekologjike, në kërkesën që e gjithë klasa politike shqiptare të largohet nga pushteti.

Zemërimi shpërtheu në bregdet më 30 maj, kur fadromat nisën punimet në njërin prej këtyre projekteve. Protestat u përhapën në kryeqytet dy ditë më vonë. Që prej asaj kohe, çdo mbrëmje në orën 18:00, mijëra qytetarë janë mbledhur në një shesh qendror dhe kanë marshuar përgjatë bulevardit kryesor drejt Kryeministrisë, duke mbajtur flamuj kombëtarë, pankarta të përgatitura vetë dhe postera proteste.

Pa një drejtim formal, marshimet po organizohen përmes rrjeteve sociale dhe po mbledhin studentë, aktivistë mjedisorë, qytetarë e profesionistë.

Videot e xhiruara gjatë “Revolucionit të Flamingove”, i quajtur kështu për shkak të shpendëve që rrezikohen nga projektet luksoze janë shpërndarë masivisht në TikTok dhe Instagram, duke ndihmuar në mbajtjen gjallë të protestës.

Protestuesit thonë se si Partia Socialiste në pushtet, ashtu edhe Partia Demokratike e Sali Berishës, janë të korruptuara dhe të gatshme ta shesin vendin te më i forti financiarisht, pa shumë kujdes për natyrën dhe bukurinë e tij.

Dy partitë kanë dominuar politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve ’90. Rama është në pushtet prej 13 vitesh, ndërsa Berisha, 81 vjeç, ish-kryeministër dhe ish-president, është sanksionuar nga SHBA-të për akuza korrupsioni.

Shqipëria nuk është e panjohur me protestat. Gjatë tri dekadave të fundit ka pasur të paktën shtatë valë të mëdha protestash.

Por kjo valë është ndryshe: kryesisht paqësore dhe krahasimisht e vogël, por në rritje, ajo është shndërruar njëkohësisht në akt politik dhe ngjarje shoqërore.

Kjo është ndoshta protesta e parë në Shqipëri në 30 vjet ku njerëzit dalin në shesh krejtësisht vetë, pa ndonjë shtysë të madhe politike, tha Fitim Zekthi, analist dhe pedagog në Universitetin Europian të Tiranës.

Edhe sikur të përfundonte sot dhe nesër të mos kishte asnjë zhvillim tjetër, kjo protestë tashmë ka bërë diçka shumë të madhe: ka treguar se njerëzit mund të reagojnë.

Qeveria dhe e gjithë klasa politike shqiptare tani po mendojnë me kujdes për atë që po shohin. Mendoj se politika shqiptare nesër nuk do të jetë njësoj siç ishte dje. Do të ketë një lloj tjetër llogaridhënieje dhe një reagim tjetër publik.

Projektet e resorteve në ishullin e Sazanit dhe në gadishullin e Zvërnecit, të mbështetura nga kompania investuese e Kushner, Affinity Partners, kanë tërhequr vëmendjen e Komisionit Europian. Ky i fundit i ka shprehur shqetësime ministrit shqiptar të Mjedisit, Sofjan Jaupaj, për “mangësi të mundshme” dhe ka paralajmëruar se rruga e anëtarësimit të vendit mund të vihet në rrezik nëse shpërfillen rregullat mjedisore të BE-së.

Dua të theksoj se Shqipëria duhet të shmangë çdo veprim që mund të cenojë përmbushjen e kriterit përmbyllës, tha zëdhënësi i Komisionit, Guillaume Mercier, në një konferencë më 9 qershor. Presim që autoritetet shqiptare të veprojnë pa vonesë.”

Rama, 61 vjeç, deri më tani i ka refuzuar thirrjet për ndalimin e projekteve, duke i paraqitur ato si pjesë të një shtyse drejt turizmit elitar, që sipas tij do të sjellë më shumë investime dhe vende pune. Ai këmbëngul se projekti në Zvërnec do të vijojë.

Qeveria thotë se dy projektet po ndjekin rrugë të ndryshme: ai i Sazanit përfshin tokë publike dhe është ende në negociata me shtetin, ndërsa projekti i Zvërnecit ndodhet në tokë private. Edhe pse në atë zonë kanë nisur punimet përgatitore, Rama ka deklaruar vazhdimisht se asnjëri prej projekteve nuk ka marrë miratimin përfundimtar dhe se procedurat mjedisore e të tjera ende nuk janë përmbyllur.

Kryeministri ka kundërshtuar gjithashtu thirrjet për dorëheqjen e tij, duke thënë se më shumë se 800 mijë njerëz votuan për të në zgjedhjet e vitit të kaluar, rreth 52% e votave të hedhura. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale më 6 qershor, ai la të kuptohej se pjesëmarrja në protestë nuk ishte aq e madhe sa për të vënë në pikëpyetje mandatin e tij.

Në Tiranë, marshimet e përnatshme nisin nga Sheshi Skënderbej, më i madhi i qytetit, ku ndodhen Banka e Shqipërisë, Biblioteka Kombëtare, Pallati i Kulturës dhe një xhami.

Drejtuesit e mjeteve të bllokuara në trafik u bien borive në shenjë solidariteti, ndërsa protestuesit lëvizin nëpër rrugë. Aktivistët mjedisorë ofrojnë mikrofona dhe altoparlantë, duke krijuar një podium të hapur ku çdokush mund t’i drejtohet turmës.

Ne duam të ndryshojmë mënyrën se si qeverisemi, tha një protestues të martën në mbrëmje.

Duam të ndërtojmë një shtet të bazuar te ligji dhe drejtësia. Zvërneci ishte pika që derdhi kupën.

Protestuesit kërkojnë që qeveria të shfuqizojë kuadrin e investimeve strategjike, i cili u lejon projekteve të mëdha të kalojnë më shpejt procedurat e miratimit dhe u jep zhvilluesve akses në mbështetje shtetërore, leje dhe, në disa raste, tokë publike. Sipas tyre, ky mekanizëm është kthyer në një rrugë të shkurtër për projekte ndërtimi të lidhura politikisht, në vend që të shërbejë si mjet zhvillimi në interes publik.

Ata kërkojnë gjithashtu që Shqipëria të zhbëjë ndryshimet e fundit në ligjet për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore, duke argumentuar se rregullat e reja dobësojnë mbrojtjen e territoreve që duhet të ruhen nga ndërtimet. Në listën e shqetësimeve të tyre është shtuar edhe një plan i veçantë qeveritar për zhvillimin e zonave malore.

Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit e 91-ta nga 182 vende dhe territore në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, me 39 pikë nga 100. Organizata thotë se korrupsioni mbetet një sfidë e rëndësishme dhe i lidh rreziqet e korrupsionit në rajon me institucionet e dobëta demokratike dhe mekanizmat e pamjaftueshëm të llogaridhënies.

Për Tana Shehun, një shqiptare në të 70-at, e cila iu bashkua protestës në Tiranë këtë javë, tubimet rikthyen kujtime nga ditët e fundit të komunizmit. Ajo tha se ndihej krenare për të rinjtë që sot janë në rrugë.

A nuk e shihni se ata po ndryshojnë botën? pyeti Shehu.

Jam këtu për t’i mbështetur dhe për t’u thënë se nuk janë vetëm./ Bloomberg-Monitor