Në një Botëror që po prodhon emocione dhe spektakël, beteja për “Këpucën e Artë” po merr gjithnjë e më shumë vëmendje. Në krye të renditjes qëndron Lionel Messi me 5 gola, duke dëshmuar edhe një herë se magjia e tij vazhdon të ndriçojë skenën më të madhe të futbollit botëror.
Pas tij vijnë dy makineri golash: Kylian Mbappé dhe Erling Haaland, të dy me nga 4 realizime. Francezi vazhdon të shfaqë shpejtësinë dhe instinktin vrasës para portës, ndërsa norvegjezi po konfirmon reputacionin si një nga sulmuesit më të frikshëm të epokës moderne.
Në anën tjetër, surprizon mungesa e golit nga Cristiano Ronaldo. Legjenda portugeze ende nuk ka gjetur rrugën e rrjetës në këtë Botëror, por historia ka treguar se kampionët e mëdhenj nuk duhen nënvlerësuar kurrë. Me turneun ende të hapur, gara për golashënuesin më të mirë premton të mbetet një nga temat më të nxehta të ditëve në vijim. Për të vërtetuar këtë mjafton të përmendësh edhe Harry Kane, golashënuesin e 2018, që këtë Botëror e ka nisur me ‘dopietë’ kundër Kroacisë.
Me dopietën kundër Austrisë, Messi u bë gjithashtu golashënuesi më i mirë i historikut të Botërorëve, me 18 rrjeta të realizuara. 2 më shumë se Miroslav Klose, me të cilin ndante këtë rekord. Megjithatë shpejt u përgjigj Mbappe, që me dopietën kundër Irakut shkoi në kuotën e 16 golave në 3 Botëror ku ka marrë pjesë. Francezi mbetet edhe rreziku kryesor për Messi-n, pasi mosha 27-vjeçare e favorizon shumë.
Gjithsesi për Messi-n erdhën edhe superlative. Klose me të cilin ndante rekordin u shpreh se ‘argjentinasi është më i miri i historisë së këtij sporti’, ndërsa Ibrahimovic tha se për të vërtetuar madhështinë e tij ‘me 5 gola në 2 ndeshje’, mjafton fakti që ‘unë kam shënuar 0 gola në 2 Botëror’.