Sport

Botërori, ja 5 ndeshjet që pritet të tërheqin vëmendjen më të madhe!

Faza e grupeve e Kupës së Botës 2026 premton spektakël që në ditët e para të turneut, sipas “Football Muse”.

Me 72 ndeshje të planifikuara nga 11 deri më 27 qershor, tifozët do të kenë mundësinë të ndjekin një maratonë futbolli, ku disa përballje spikasin si më të rëndësishmet dhe më tërheqëset e kësaj faze.

Mes rivaliteteve historike, skuadrave favorite dhe pretendentëve për surprizë, këto janë pesë ndeshjet që pritet të tërheqin vëmendjen më të madhe.

Holanda – Japonia, sfida e parë e rëndësishme

Më 14 qershor, në Dallas, Holanda dhe Japonia do të përballen në një ndeshje që mund të përcaktojë skuadrën fituese të Grupit F.

“Tulipanët” vijojnë kërkimin për titullin e parë botëror në histori, ndërsa Japonia ka dëshmuar në edicionet e fundit se është në gjendje të sfidojë dhe mposhtë emra të mëdhenj të futbollit botëror.

Përballja pritet të jetë një provë serioze për ambiciet e të dyja skuadrave.

Francë – Senegal, rikthimi i një historie të paharrueshme

Një nga duelet më intriguese të fazës së grupeve do të luhet më 16 qershor në Nju Xhersi, ku Franca përballet me Senegalin.

Kjo ndeshje rikthen në kujtesë Botërorin e vitit 2002, kur Senegali shkaktoi një nga surprizat më të mëdha në historinë e turneut, duke mposhtur kampionët në fuqi të Francës në ndeshjen hapëse.

Më shumë se dy dekada më vonë, dy kombëtaret takohen sërish në një duel që premton intensitet dhe emocione, veçanërisht në një grup të cilësuar nga shumë analistë si “grupi i vdekjes”.

Angli – Kroaci, një rivalitet me histori

Më 17 qershor, Dallasi do të presë edhe një tjetër sfidë të madhe, atë mes Anglisë dhe Kroacisë.

Përballja sjell menjëherë në kujtesë gjysmëfinalen e Botërorit 2018, kur kroatët eliminuan anglezët dhe siguruan biletën për në finalen historike.

Nën drejtimin e Thomas Tuchel, Anglia synon të hakmerret për atë disfatë dhe të konfirmojë statusin e saj si një nga pretendentet kryesore për trofeun.

Brazil – Marok, spektakël që në fundjavën e parë

Një tjetër ndeshje që pritet me interes të madh është ajo mes Brazilit dhe Marokut, e programuar për më 13 qershor në East Rutherford.

Pesë herë kampionët e botës vijnë në këtë edicion me një skuadër që kombinon përvojën me talentin e brezit të ri.

Në qendër të vëmendjes do të jetë Vinicius Junior, ndërsa në stol brazilianët drejtohen nga Carlo Ancelotti, i cili synon t’i rikthejë “Seleçaos” lavdinë botërore.

Nga ana tjetër, Maroku mbetet një nga skuadrat më të respektuara pas rrugëtimit historik deri në gjysmëfinalet e Botërorit 2022.

Me lojtarë si Achraf Hakimi dhe Brahim Diaz, afrikanët synojnë të dëshmojnë se suksesi i Katarit nuk ishte rastësi.

Kolumbi – Portugali, finalja e Grupit K

Në ditën e fundit të fazës së grupeve, më 27 qershor në Miami, Kolumbia dhe Portugalia do të përballen në një sfidë që mund të vendosë kreun e Grupit K.

Portugezët konsiderohen favoritë, falë përvojës dhe cilësisë së skuadrës, por Kolumbia ka treguar formë të shkëlqyer dhe disponon futbollistë të aftë, për të ndryshuar fatin e një ndeshjeje në çdo moment.

Për këtë arsye, dueli pritet të jetë një nga më vendimtarët e gjithë fazës së grupeve.

Me histori, rivalitete dhe potencial për surpriza të mëdha, këto pesë përballje pritet të jenë ndër momentet kulmore të fazës së grupeve në Kupën e Botës 2026, duke ndikuar ndjeshëm në rrjedhën e turneut dhe në garën për trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.