Botërori 2026 përfundoi me kurorëzimin e Spanjës si kampione e botës në MetLife Stadium të New Jersey. Të 26 të grumbulluarit nga Luis De La Fuente për këtë edicion të Kupës së Botës janë pjesë e historisë së La Roja.
Një prej aspekteve që u vunë re më shumë te kampionët e rinj të botës ka qenë mbrojtja. Në 8 ndeshje të zhvilluara Spanja pësoi vetëm 1 gol dhe një meritë të madhe në këtë sukses ka dyshja e qendrës së mbrojtjes Aymeric Laporte dhe Pau Cubarsi.
Ashtu siç ndodh gjithnjë në çdo turne, FIFA i jep mundësinë publikut për të zgjedhur formacionin më të mirë të Botërorit dhe në këtë pikë në Spanjë janë shumë të indinjuar. Në opsionet për repartin e mbrojtjes nuk figurojnë as Cubarsi e as Laporte. Qendërmbrojtësi i Barcelonës u shpall lojtari i ri më i mirë i turneut dhe lënia e tij jashtë këtij votimi është diçka jokoherente dhe jologjike. Ndërkaq figurojnë në këtë votim Cucurella dhe Pedro Porro dhe bashkë me ta figurojnë emrat e Lisandro Martinez, Nuno Mendes, Van Dijk, Gabriel Magalhaes, Cuti Romero dhe Upamecano.
Në portë është Unai Simon së bashku me Vozinha, Emiliano Martínez, Pickford dhe Room. Në mesfushë figurojnë Rodri dhe Lamine Yamal të cilëve iu bashkohen edhe Bellingham, Olise, Vinicius, Enzo Fernández, Dembélé, Modric dhe Saibari. Në sulm është Oyarzabal në garë për një vend në formacionin më të mirë të Botërorit së bashku me Mbappé, Quiñones, Kane, Haaland dhe Messi.