Brazili shënoi në mars, muajin më vdekjeprurës nga COVID-19. Sipas shifrave zyrtare, rreth 66 mijë e 570 persona humbën jetën, dyfish më shumë se rekordi i mëparshëm i regjistruar në korrik. Ndërkohë dje Brazili regjistroi edhe një tjetër rekord ditor të viktimave nga koronavirusi, 3 mijë e 869.
Shifra theu rekordin e një ditë më herët prej 3 mijë e 780, që sipas ekspertëve vjen nga variant i ri lokal i njohur si P1. Numri i përgjithshëm i viktimave në Brazil tani është mbi 321 mijë, në vendin e dytë pas Amerikës me mbi 552 mijë.
Në Brazil, ekspertët e shëndetit thonë se rritja e infeksioneve në javët e fundit dyshohet se është shkaktuar nga varianti lokal i Koronavirusit, i njohur si P1. Ky variant shumë i transmetueshëm ka riinfektuar edhe njerëz që kanë pasur llojin original të Sars Cov2.

Rritja e rasteve e ka çuar sistemin shëndetësor të Brazilit në prag të kolapsit. P1 është identifikuar edhe në disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Gjermaninë, duke rritur shqetësimet për efikasitetin e disa vaksinave. Në të gjithë botën koronavirusi ka prekur mbi 128 milionë persona, nga të cilët 2.8 milionë kanë vdekur ndërsa 73 milionë janë shëruar.