Një alarm sigurie është shpallur në Uells pasi një breshkë grabitqare e llojit snapping turtle u zbulua në ujërat e pyllit Penllergare Valley Woods, një nga zonat natyrore më të vizituara në rajon. Zvarraniku, i quajtur Sheila, u vu re duke notuar në një përrua pyjor, duke detyruar autoritetet lokale të paralajmërojnë notarët dhe pronarët e qenve që të shmangin kontaktin me ujin. Ekspertët besojnë se breshka, e cila mendohet të jetë tre deri në katër vjeç, ishte lëshuar ilegalisht në natyrë.
Pas një operacioni shpëtimi, Sheila u transportua rreth 350 kilometra drejt Qendrës Kombëtare për Mirëqenien e Zvarranikëve në Kent, ku u konstatua në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo specie është vendase në Amerikën Veriore dhe Qendrore dhe njihet për nofullat e forta në formë sqepi, të afta të shkaktojnë dëmtime serioze.
Ekspertët theksojnë se këto breshka nuk janë zakonisht agresive, por reagojnë fuqishëm kur ndihen të kërcënuara. Sipas specialistëve, kafshimi i tyre mund të jetë jashtëzakonisht i dhimbshëm dhe ato nuk e lëshojnë lehtë prenë pasi kafshojnë. Për këtë arsye, autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të mos përpiqen t’i kapin vetë nëse hasin një të tillë. Organizatat për mbrojtjen e kafshëve kujtuan gjithashtu se lëshimi i specieve jo vendase në natyrë është i paligjshëm dhe mund të shkaktojë dëme në ekosistem, pasi këto grabitqarë ushqehen me peshq, amfibë dhe specie të tjera vendase.