I ftuar në “Live From Tirana” ka qenë Hasan Stafa, drejtor i qendrës së mbrojtjes së konsumatorit. Ai ka dolur mëshumë për rastin e importit të mishit të pulës me salmonelë në vendin. Sa e rrezikshme është kjo për shëndetin tonë?
Çfarë i ndodh trupit tonë në momentin që konsumojmë një produkt me salmonelë?
Në momentet e para sapo ta konsumosh, pas ndoshta 6-7 minutash apo 10 minutash, fillojnë shqetësimet e para, shqetësimet gastro-intensinale, fillon provokimi i të vjellave, fillon një dhimbje e rëndë e barkut. Më vonë fillojnë të vjella më të shpeshta, më të mëdha, fillon diarreja, në shumë raste me gjak, pra një diarre që është shumë e rëndë. Konsumatori duhet të dijë që në momentin e parë që kanë këto shenja, duhet të paraqiten në shërbimin mjekësor, tek urgjenca mjekësore, jo tek mjeku i lagjjes. Sa më shpejt të kapet, aq më mirë. Shqetësimet dhe problemet zgjasin nga 2 deri në 7 ditë. Në shumë raste të rralla ka fatalitete dhe kjo uroj që të mos ketë fare. Fatalitetet janë rastet e vdekjeve, ka pasur jo tani në këto vite, por në vitin ’94 në Kuçovë, ku ishte një salmonelë e gradës së rëndë dhe ka raste që kanë vdekur. Ashtu sikurse ka raste fatale në Gjermani, në Austri, në Itali, ka qenë dhe në një nga liderët e Bashkimit Europian, në Francë. Filetot e pulës, mishi i pulës i ardhur nga Brazili, përbëjnë një përqindje të lartë të importeve të vendeve të Bashkimit Europian. Pra, është një produkt që është i listuar në 27 produktet që ka Brazili që fut në Bashkimin Europian, është i certifikuar për t’u futur për konsum. Pra, këto janë raste të veçanta, janë raste të rralla, prandaj thashë që nuk duhet të krijojmë panik. Janë raste që kanë ndodhur tek shtetet e tjera përpara, janë kapur në momentin e parë nga laboratorët e autokontrollit, që bota perëndimore dhe vendet e zhvilluara i kanë shumë të avancuara. Por ka raste dhe që kanë kaluar për konsum publik dhe në këto shtetet e fuqishme. Natyrisht që është ndërhyrë menjëherë, ndërgjegjësimi i konsumatorit është shumë më i lartë, kthimi i produktit dhe raportimet janë në një shkallë superiore. Pra, një konsumator europian i Luksemburgut, apo edhe të Kroacisë, Sllovenisë, që janë vende të vogla por të ndërgjegjësuara, menjëherë e kuptojnë shqetësimin që vjen nga një produkt. Meqënëse jemi dhe në prag të sezonit turistik, ne duhet të marrim masa parandaluese dhe konsumatori të ndërgjegjësohet, tregtarët të ndërgjegjësohen, ashtu sikurse edhe strukturat shtetërore. Sepse pjesa më e madhe e produkteve të shpendëve, mishit të pulës, qofshin këto fileto, apo nën produkte të tjera, janë produkte që përpunohen në pothuajse të gjithë subjektet e prodhimit të sallamerisë në Shqipëri.