Policia e Tiranës shpalli në kërkim administratorin e kompanisë që hodhi në treg mish pule me salmonelë. Nën hetim u vendos vëllai i tij. Ndërkaq, u proceduan penalisht dhe tre inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, AKU për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Sasia nga Brazili hyri në vendin tonë përmes Portit të Durrësit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
DVP Tiranë
Importuan produkte ushqimore të cilat në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës, shpallet në kërkim administratori i kompanisë si dhe procedohet penalisht vëllai i tij, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve“.
Procedohen penalisht dhe 3 inspektorë të AKU-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kreu veprime hetimore e procedurale në lidhje me rastin e futjes në vendin tonë të një sasie produktesh ushqimore me përmbajtje të salmonelës dhe në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.G., 50 vjeç, (administratori i një kompanie private) si dhe u proceduan penalisht shtetasit: M.G., 53 vjeç (vëllai i 50-vjeçarit), G.H., 38 vjeç, S.L., 42 vjeçe dhe A.S., 46 vjeç.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A.G., në cilësinë e administratorit të kompanisë së bashku me vëllanë e tij, shtetasin M.G., kanë importuar produkte ushqimore ku në bazë të analizave nga institucionet përkatëse kanë rezultuar se në përmbajtje të tyre kanë bakterin e salmonelës.
Shtetasit G.H., S.L., dhe A.S., në cilësinë e inspektorëve të AKU-së, me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.