Art & Kulturë

“Dashuri në kohën e komunizmit” nga Bessa Myftiu!

Nga autore të rëndësishme për lëvizjen feministe o të paktën këndvështrimin të gjërave nga syri i grave si Simone De Beauvoir (The Second Sex, 1949), Virginia Wolf (A Room of One’s Own, 1929) apo Louisa May Alcott (Little Women, 1868), fund-shekulli i 20-të dhe 21-të kishte një qasje më Pop, më sfumatura të showbiz-it, ku mendimet mplekseshin me atë që kapitalizmi i pas luftës së dytë solli, një konsumizëm të shfrenuar, me vëmendjen më tepër tek forma sesa tek përmbajtja. Libra si “Sex And The City” (1996, Candace Bushnell) apo “Si të jesh një Parisiene (2014, Sophie Mas, Caroline de Maigret, Anne Berest, Audrey Diwan) shisnin po aq kopje në mos më shumë se qasjet më serioze (apo dinjitoze do thoshin disa) si “I Am Malala” (Malala Yousafzai, 2014).  Në përpjekje për të gjetur veten e tyre në një botë të pabarabartë ku ato objektifikohen nga gjinia tjetër – këto libra (dhe shumë të tjerë) tregojnë guximin e grave për të jetuar të çliruara nga kutia ku shekujt e shkuar i kishin futur, pa i pyetur fare.

“Dashuri në kohën e komunizmit” është një shije e Seksi dhe Qyteti, me [më] pak seks dhe me [më] shumë qytet[e]. Një libër i veçantë, disi i munguar për gjysmëshekullin që gratë shqiptare kaluan nën thundrën e ashpër të ndrydhjes dikatoriale. Bessa Myftiu tregon për gratë e atyre viteve ndryshe nga sa jemi mësuar ti njohim. Politika e kohës e kishte kornizuar gruan si të barabartë me burrin – kur vinte puna tek profesionet  që mund të bënte, të paktën në qytet; ama kishte eliminuar seksualitetin dhe sensualitetin e gjinisë femërore, seksi në tërësi ishte tabu – edhe nëse bëhej, bëhej fshehurazi.

Trill apo jo, Myftiu tregon se ka patur histori dashurie atëherë, të forta si ato në kohë të kolerës, të vështira, të plogështa, të fuqishme ngandonjëherë, me pak fat, triumfuese. Ajo shkruan me një ndjeshmëri që mungon  kur gratë (shqiptare) i referohen njëra tjetrës – të paktën në gjuhën publike; po aq nuk ka frikë të thyejë tabutë e atyre kohëve me një gjuhë të lirshme, të kuptueshme dhe argëtuese.

Pesë vite përpara se libri të botohej në shqip, u botua nga një prej shtëpive botuese më prestigjioze në botë, Fayard në frëngjisht dhe pati një kureshtje të lexuesit po aq sa vlerësim të kritikës. Duket sikur autorja e mbi 25 librave ka dashur një shpagim për gruan shqiptare fatkeqe të atyre viteve, për të cilën provon admirim mbasi i ka takuar rrugëve të europës ku shumë prej tyre u nisën për t’i ikur ferrit të shtypjes së atyre viteve lëngate pa fund.

Natyrisht historitë e dashurisë në një kohë kur dëmi njerëzor i kaluar nga mijëra shqiptarë mund ta bëjë librin të duket i pavend, për sa nuk ka ende një shikim të kujdesshëm të asaj pjese të historisë – ama dhimbja nuk është mirë të relativizohet. Shumë prej gjërave që brezat e mëvonshëm i marrin të mirëqëna është mirë ti njohin e të mundohen ti kuptojnë disi, sado të palogjikshme mund t’ju duken.

Në një kohë kur ka analiza në rrjet për një kthim të vajzave tek patriarkati, libra si ky janë thuajse të domosdoshëm, jo aq për vlerën e historive të shkruara në faqe, por si shërbim ndaj kujtesës kolektive për një të shkuar kur dashuria, siç mundet të jetohet sot, ishte krejt e pamundur.